Pse po rrënohen shtëpitë në zonën e Liqenit të Ujmanit?

Ekskavatorë, nën asistimin e Policisë së Kosovës, nisën më 21 korrik rrënimin e njëmbëdhjetë shtëpive në bregun e Liqenit të Ujmanit, në komunën e Zubin Potokut.

Aksioni rihapi debatin për të drejtat pronësore dhe kompetencat e institucioneve.

Autoritetet e Kosovës thonë se objektet janë ndërtuar pa leje në tokën që administrohet nga Ndërmarrja Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, ndërsa pronarët pretendojnë se prona është subjekt i një procesi gjyqësor dhe se rrënimi i objekteve nuk është dashur të nisë para përfundimit të procedurave.

Rrënimi i shtëpive të para, të cilat Kosova i konsideron të paligjshme, nisi në fund të qershorit.

Ndërkohë, organizata joqeveritare Aktiv, me seli në Mitrovicë të Veriut, organizoi një diskutim publik për të nxitur dialogun dhe për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje.

Në diskutim morën pjesë përfaqësues të institucioneve lokale, të ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenci”, ekspertë ligjorë, përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare dhe qytetarë të prekur drejtpërdrejt nga çështja e pronësisë, por jo edhe përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Sipas organizatës Aktiv, pjesëmarrësit vlerësuan se çështjet pronësore në zonën e Liqenit të Ujmanit kërkojnë “një qasje institucionale transparente dhe gjithëpërfshirëse, zbatim të qëndrueshëm të ligjit dhe dialog të vazhdueshëm mes të gjithë aktorëve përkatës”.

Çfarë thotë “Ibër-Lepenci”?

Drejtori i ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenci”, Faruk Mujka, tha për Radion Evropa e Lirë se pronarëve u ishte kërkuar më 3 korrik që t’i lironin objektet, dhe pas skadimit të afatit, Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, urdhëroi rrënimin e tyre.

“Ne po e kthejmë pronën tonë. Po rrënohen 11 shtëpitë e ndërtuara ilegalisht në pronën e ndërmarrjes”, tha Mujka.

Kërkesa e Faruk Mujkës për lirimin e pronës së uzurpuar.
Kërkesa e Faruk Mujkës për lirimin e pronës së uzurpuar.

Ai shtoi se, sipas të dhënave të mbledhura, shumica e këtyre shtëpive janë ndërtuar gjatë viteve 2019-2020.

Në mes të korrikut, gjatë diskutimit publik, Mujka deklaroi se “Ibër-Lepenci” e ka detyrim ligjor të mbrojë pronën që administron dhe që është me interes publik.

Ai theksoi se ndërmarrja nuk merr vendime për rrënimin e objekteve, por vetëm njofton institucionet kompetente për shkeljet që konstaton, ndërsa ato veprojnë sipas kompetencave të tyre ligjore.

Më herët, “Ibër-Lepenci” mori nën kontroll kampin Rezalla, një nga pronarët e të cilit është aktivisti serb i shoqërisë civile, Dragisha Mijaçiq.

Sipas Mujkës, edhe ky kamp ishte ndërtuar pa lejet e nevojshme dhe u mor në administrim për t’u sistemuar.

Ai rikujtoi, gjithashtu, rëndësinë strategjike të Liqenit të Ujmanit për furnizimin me ujë, prodhimin e energjisë elektrike dhe nevoja të tjera publike në Kosovë.

Në vitin 2025, Qeveria e Kosovës shpalli zonën e Liqenit të Ujmanit dhe Malin Mokna, pranë Zubin Potokut, si “zona të pasurisë natyrore me rëndësi të veçantë”.

Çfarë thonë pronarët?

Branimir Mihajlloviq, banor i Mitrovicës së Veriut dhe pronar i një shtëpie në Ujman, thotë për Radion Evropa e Lirë se tokën e kishte marrë në shfrytëzim për 99 vjet në vitin 2006 nga ndërmarrja serbe “Srbija Shume”, së cilës i kishte paguar qira.

Objekti i tij ishte planifikuar të rrënohej më 21 korrik.

Marrëveshja për qiranë e tokës pyjore.
Marrëveshja për qiranë e tokës pyjore.

Ai thotë se, zakonisht, qëndron në atë shtëpi nga marsi deri në nëntor dhe se mëngjesin e 21 korrikut u zgjua nga policia, e cila i kërkoi të largohej nga objekti.

Më pas, sipas tij, nuk iu lejua më t’i afrohej.

Ai thotë se, vitin e kaluar, kishte paraqitur kërkesë për legalizimin e pronës në sistemin e Kosovës dhe ishte i gatshëm të paguante qiranë ndaj institucioneve të Kosovës.

Kosova, përndryshe, që nga viti 2024 ka nisur mbylljen e institucioneve serbe, duke i cilësuar ato si paralele dhe të paligjshme.

“Unë i kam të gjitha dokumentet. Papritur si pronar u paraqit ‘Ibër-Lepenci’. Ne nuk ndodhemi fare në brezin ujor. Edhe nëse do të ishim, do të paguaja qira dhe tatime. Kam paguar edhe energjinë elektrike. Sipas ligjit, toka mund të jepet me qira dhe pikërisht këtë kemi kërkuar”, thotë Mihajlloviq.

Ai tregon se, së bashku me pronarët e tjerë të shtëpive, kryesisht serbë nga veriu i Kosovës, kanë paraqitur ankesë tek Avokati i Popullit dhe në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

“S’është mbajtur asnjë seancë. Kërkuam pezullim të përkohshëm të rrënimit, por ende nuk ka vendim”, thotë Mihajlloviq.

A ka vendim gjykate?

Avokati i pronarëve, Predrag Millkoviq, thotë se nuk ekziston bazë ligjore për rrënimin e shtëpive, pasi çështja e pronësisë ende nuk është zgjidhur nga gjykata.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua Gjykatës Themelore në Mitrovicë për ta pyetur nëse ka lëshuar urdhër për rrënimin e objekteve, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Millosh Peroviq, deklaroi gjatë diskutimit të organizuar nga Aktiv se autoritetet lokale nuk kanë dhënë pëlqim për rrënimin e shtëpive në zonën e Ujmanit dhe bëri thirrje për një zgjidhje kompromisi.

Drejtori i “Ibër-Lepencit”, Faruk Mujka, këmbënguli se urdhri për rrënim është dhënë nga Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Reagimi i Serbisë

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e cilësoi rrënimin e objekteve, në një reagim më 21 korrik, si “akt të paligjshëm dhe terrori nga [kryeministri në detyrë i Kosovës] Albin Kurti”, duke pretenduar se ai është duke u zhvilluar “pa asnjë vendim gjyqësor” dhe “me qëllim hakmarrjen ndaj serbëve”.

Sipas saj, pronarët e shtëpive kishin mësuar për rrënimin e objekteve vetëm përmes njoftimeve të vendosura në to.

Pse është i rëndësishëm Liqeni i Ujmanit?

Liqeni i Ujmanit ndodhet në komunën e Zubin Potokut, në veri të Kosovës – e banuar me shumicë serbe – ndërsa një pjesë më e vogël shtrihet në territorin e komunës së Tutinit në Serbi.

Ai konsiderohet infrastrukturë strategjike për Kosovën, pasi shërben për furnizimin me ujë, prodhimin e energjisë elektrike dhe ujitjen.

Nga Ujmani furnizohet edhe kanali Ibër-Lepenc, i cili u hodh në erë në vitin 2024.

Për këtë rast, para organeve të drejtësisë në Kosovë janë ngritur akuza ndaj Dragisha dhe Jovan Viqentijeviqit, si dhe Igor Dimoviqit, nën dyshimin se “kanë rrezikuar rendin kushtetues, duke shkatërruar ose dëmtuar instalime dhe pajisje publike”.

Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë disa qytete të Kosovës, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termocentraleve.

Menaxhimi i Liqenit të Ujmanit është gjithashtu pjesë e Marrëveshjes së Uashingtonit, të nënshkruar nga Kosova dhe Serbia në shtator të vitit 2020, në Shtëpinë e Bardhë, gjatë mandatit të parë të presidentit amerikan, Donald Trump.

Në qershor të vitit 2021, Shtetet e Bashkuara hartuan një studim fizibiliteti, në të cilin propozohej menaxhimi i përbashkët i liqenit sipas të ashtuquajturit “model kolumbian”, me synim zgjidhjen e mosmarrëveshjeve lidhur me furnizimin me ujë, energjinë dhe mbrojtjen nga përmbytjet./REL