Protestë në Shkup kundër kamatave të larta dhe përmbaruesve

Iniciativa qytetare “Stop për përmbaruesit”, ka protestuar sot sërish ndaj përmbaruesve dhe kamatës së lartë që qytetarët detyrohen të paguhen për borxhet e vjetra. Dhjetëra qytetarë në protestën e mbajtur para Ministrisë së Drejtësisë, kanë shprehur revoltën e tyre, duke kritikuar ligjin për përmbarues, duke e cilësuar punën e përmbaruesve si vepër që nuk mbron interesin e qytetarëve, por vjedh paratë e tyre.

Ana Gligorova, Iniciativa stop për përmbaruesit

“Privatizimi i dytë që është bërë, e kanë shpikur këtë metodë, këtë metodë për marrjen e parave të fundit të njerëzve, të popullit. Janë qindra mijë lëndë të cilat janë shumë të vjetra, për të cilat mund t’I vijë çdokujt për një faturë prej vitit 2001 për shembull me kamatë shumë të lartë, astronomike. Kishte njerëz këtu të cilëve madje nuk u shkruan në autorizimin e përmbaruesve borxhi kryesor, ndërsa u është marrë 1/3 e pensionit. Kemi raste kur nga një borxh 2-3000 denarë, bëhet 60 mijë denarë”.

Protestuesit madje kanë akuzuar përmbaruesit se me qëllim i lënë lëndët të vjetërohen dhe më pas të hapin procedurë për to dhe kanë kërkuar nga kryetari i Odës së Përmbaruesve që të përballet me iniciativën qytetarë.

Protestues

“Ne pretendojmë se përmbaruesit, kreditorët dhe noterët qëllimisht kanë ruajtur këto lëndë në sirtar deri në vitin e 9-të dhe I lëshojnë vitin e 10-të. Ne I bëjmë thirrje ministres së Drejtësisë që të merr këtë argument parasysh gjatë shkarkimit të përmbaruesve. Kemi një qytetar nga Manastiri, ka vendim gjyqësor me të cilin duhet të ndërpritet përmbarimi, ndërsa përmbaruesi vazhdon edhe më tej”.

Protestues

“Kam vendim gjyqësor, por ajo nuk vlen për përmbaruesit. Ata janë më të mëdhenjë se gjykatësit. Shpresoj se ajo do të merret parasysh edhe nga Ministria e Drejtësisë edhe nga kryetari i Odës së Përmbaruesve, që të shqyrtohet kjo lëndë se pse ka ardh deri këtu”

Ata kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë me protesta deri sa të gjindet një zgjidhje për çështjen e përmbaruesve dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’iu bashkangjiten protestuesve. Teuta Buçi /SHENJA/