Propozimi përfundimtar i rezolutës për Srebrenicën dërgohet në OKB

Propozimi përfundimtar i rezolutës për shpalljen e 11 korrikut si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë i është dërguar presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Dennis Francis, dhe të gjitha misioneve të përhershme në OKB, njoftoi ambasadori i Bosnje-Hercegovinës në OKB, Zllatko Lagumxhija.

“Pas disa raundeve konsultimesh gjithëpërfshirëse, propozimi përfundimtar i Rezolutës Dita Ndërkombëtare e Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë 1995, nga grupi kryesor ndër-rajonal, shkoi te presidenti i Asamblesë së Përgjithshme dhe të gjitha misioneve të përhershme në OKB”, ka shkruar Lagumxhija nw rrjetin social X.

Në propozimin përfundimtar të rezolutës, vendimi i OKB-së “për të shpallur 11 korrikun si Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë në vitin 1995”, do të shënohet çdo vit.

OKB-ja, siç thuhet në tekst, “dënon pa rezerva çdo mohim të gjenocidit në Srebrenicë si një ngjarje historike dhe u bën thirrje vendeve anëtare të ruajnë faktet e vërtetuara, duke përfshirë përmes sistemeve të tyre arsimore, duke zhvilluar programe të përshtatshme, gjithashtu si shenjë të kujtimit, për të parandaluar mohimin dhe shtrembërimin e fakteve, si dhe dukuritë e gjenocidit në të ardhmen”.

“Gjithashtu”, thuhet më tej, OKB-ja “dënon pa rezerva veprimet që lavdërojnë të dënuarit për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare, përfshirë ata që janë përgjegjës për gjenocidin në Srebrenicë”.

Theksohet edhe rëndësia e përfundimit të procesit të gjetjes dhe identifikimit të viktimave të mbetura të gjenocidit në Srebrenicë dhe dhënies së një varrimi dinjitoz, dhe bën thirrje për vazhdimin e ndjekjes penale të atyre autorëve të gjenocidit në Srebrenicë që ende nuk janë përballur me drejtësinë.

Rezoluta “u bën thirrje të gjitha shteteve që të respektojnë plotësisht detyrimet e tyre sipas Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit, siç është e zbatueshme, dhe të drejtën ndërkombëtare zakonore për parandalimin dhe ndëshkimin e gjenocidit, duke respektuar vendimet përkatëse të GJND-së”.

Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së i kërkohet të “krijojë një program informativ të titulluar “Gjenocidi në Srebrenicë dhe Kombet e Bashkuara”, duke filluar me aktivitetet dhe përgatitjet e tij për 30 vjetorin në 2025, dhe më tej i kërkon Sekretarit të Përgjithshëm të tërheqë vëmendjen e të gjitha shteteve për anëtarë të kësaj rezolute, organizata të sistemit të Kombeve të Bashkuara dhe organizata të shoqërisë civile për respektin e duhur”.

Gjithashtu, rezoluta e OKB-së “u bën thirrje të gjitha shteteve anëtare, organizatave të sistemit të Kombeve të Bashkuara, organizatave të tjera ndërkombëtare dhe rajonale dhe shoqërisë civile, duke përfshirë organizatat joqeveritare, institucionet akademike dhe pjesëmarrësit e tjerë relevantë që të përkujtojnë Ditën Ndërkombëtare, duke përfshirë evente të veçanta dhe aktivitete për të përkujtuar dhe nderuar viktimat e gjenocidit në vitin 1995 në Srebrenicë, si dhe edukimin dhe aktivitetet e duhura për të rritur ndërgjegjësimin publik”.