Policia turke vazhdon operacionet kundër FETO-s, arrestohen 43 persona

Policia në Turqi ka arrestuar 43 persona për lidhje të dyshuara me organizatën terroriste FETO, grupi që qëndron pas grusht shtetit të mposhtur të vitit 2016, theksuan sot burime të sigurisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Prokurorët në Stamboll kanë lëshuar urdhër për arrestimin e 33 personave të dyshuar, mbi lidhjet e tyre të pretenduara me grupin terrorist, tha një burim në kushte anonime.

Nga të gjithë, 28 të dyshuar u arrestuan në 27 adresa në Stamboll nga policia e antiterrorizmit, tha burimi.

Gjatë bastisjeve, policia po ashtu konfiskoi disa para dhe materiale dixhitale.

Policia vazhdon kërkimin për të dyshuarit e mbetur, thuhet më tej.

Ndaras, prokurorët në krahinën veriore Tokat kanë lëshuar urdhër për arrestimin e 15 të dyshuarve, për lidhjet e tyre të dyshuara me grupin terrorist.

Forcat lokale të xhandarmërisë arrestuan 15 të dyshuar.

Organizata terroriste FETO dhe udhëheqësi i saj me qendër në SHBA, Fetullah Gülen, orkestruan grushtin e dështuar të shtetit më 15 korrik të vitit 2016, i cili la 251 njerëz të martirizuar dhe gati 2.200 të plagosur.

FETO qëndron pas një fushate të gjatë për të përmbysur shtetin përmes infiltrimit në institucionet turke, veçanërisht në ushtri, polici dhe gjyqësor.