Në brifingun e sotëm me gazetarët, prokurori Hazbi Iseni bëri të ditur se është propozuar që të shqiptohet masa e paraburgimit 30 ditor ndaj tre të dyshuarve për ndotjen e ujit në sistemin e ujësjellësit në Gostivar, përcjell TV21. Paraprakisht, tre personat e dyshuar në hetimin për ndotjen e ujit të pijshëm në Gostivar sot janë paraqitur para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Gostivarit, pasi Prokuroria Publike hapi hetim për veprën penale “vepra të rënda kundër mjedisit dhe natyrës, të shkaktuara me ndotje të ujit të pijshëm”.
Para gjyqtarit janë paraqitur ushtruesja e detyrës drejtoreshë e NP “Komunalec” – Gostivar, Artana Asani, udhëheqësi teknik Leon Mezini dhe përgjegjësi i Departamentit për ujësjellës, kanalizim dhe punë ndërtimore, Vadedin Dauti.



