Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka dekretuar të martën dorëheqjet e shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, që ishin dorëhequr më 2022.
Një ditë më parë, Këshilli Prokurorial i Kosovës refuzoi tërheqjen e dorëheqjeve nga serbët “pishmanë”.
Siç ka njoftuar Haxhiu në Facebook, me dekretin e saj mbyllet procesi. Ajo ka thënë se askush nuk mund të mbajë peng funksionimin e institucioneve e as të krijojë paqartësi juridike.
“Pas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, të cilët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022, kam nënshkruar dekretet për lirimin e tyre nga detyra. Me këtë akt përmbyllet një proces i zgjatur për vite me radhë dhe zbatohet vendimi i institucionit kompetent, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Shteti ynë funksionon mbi parimet e rendit kushtetues dhe sundimit të ligjit. Askush nuk mund të mbajë peng funksionimin e institucioneve dhe as të krijojë paqartësi juridike përmes proceseve të papërfunduara. Republika e Kosovës do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri, në përputhje me ligjin dhe në mbrojtje të integritetit të institucioneve të saj”, ka shkruar ajo.
Zyrtarë serbë ishin dorëhequr më 2022, pas shkarkimit të drejtorit të Policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili pati refuzuar ta zbatonte vendimin e Qeverisë për ndalimin e targave ilegale serbe.
Për t’iu kundërvënë vendimeve të qeverisë, në 2022-n në Këshillin Gjyqësor ishin dorëzuar 144 dorëheqje, prej të cilave 25 nga gjyqtarët, ndërsa në Këshillin Prokurorial 33 dorëheqje, përfshirë 10 të prokurorëve.



