Prokuroria e RMV-së po heton se pse nuk u mbyll pika e kontrollit teknik ku “kaloi” autobusi fatal i “Besa Transit”

Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit po heton pse Ministria e Punëve të Brendshme mbante në sirtar me muaj të tërë vendimin për ndalim të përkohshëm të punës në pikën për kontroll teknik “Via Komerc”, ku kishte kryer kontrollin teknik dhe autobusi i kompanisë turistike “Besa Trans” i cili u dogj në Bullgari së bashku me 45 pasagjerë.

Informacioni është publikuar nga “360 gradë”, ndërsa po i njëjti është konfirmuar zyrtarisht edhe nga prokuroria, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Ditën e djeshme ka filluar procedura para-hetimore në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Aktualisht po grumbullohet dokumentacioni i nevojshëm për zbardhjen e rastit. Nisur nga sekreti i procedurës para hetimore, për momentin nuk mund të ndahen më shumë detaje”, bëjnë të ditur Prokuroria.

Vendimin për ndalim të punës, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski e ka nënshkruar më 26 nëntor 2021, konkretisht tre ditë pas aksidentit të autobusit në Bullgari.

Ndërkaq në dokumentacion shihej se tek stacioni për kontroll teknik në fshatin Gllumovë, Komuna e Sarajit, janë zbuluar më 12 gusht 2021 se ka parregullsi, por për arsye të paqarta, ministri Spasovski nuk ka nënshkruar vendim për ndalim të përkohshëm të punës.

Ndërkohë, më 5 tetor 2021, autobusi i Besa Trans që u dogj në Bullgari dhe mori 45 jetë njerëzish, iu nënshtrua kontrollit teknik në këtë stacion.

Përveç kësaj procedure, njëkohësisht në Prokurorinë e Shkupit është duke u zhvilluar procedurë parahetimore, e cila ka të bëjë me lëshime të tjera të mundshme nga ana e institucioneve përgjegjëse për kontrollin e punës së kësaj kompanie turistike.

Prokuroria Publike deri në këtë moment nuk ka informacione se pronari i kompanisë nuk është në dispozicion të organeve të rendit, përkatësisht gjatë procedurës së deritanishme ka bashkëpunuar me organet hetuese.