Profesionisti dhe njeriu

Shkruan: Daut Dauti, Londër

Të jeshë profesionist i shkëlqyeshëm është shumë më lehtë se sa të jeshë njeri. Shiheni shembullin e Novak Gjokoviqit. Ai është teniser i shkëlqyeshëm, por njeri i gërditshëm, sidomos për shqiptarët. Për botën ai është aq i pakëndshëm sa që asnjëherë e akund publiku nuk e ka dashur.

Përkundër mungesës së përkrahjes së publikut, gjë që është shumë e nevojshme për sportistin, ai me një vullnet të çeliktë ia ka dalur ta dominojë fushën e tenisit për një kohë të gjatë. Kjo gjë vërtetë është e çuditshme, por edhe për lakmi.

Gjokoviqi për botën është pamje e përsosur e një ballkanasi: i aftë, por i pacivilizuar. Ai është krijesë e një rrethi të frustruar që ndërton njerëz të tillë. Politika, mediat dhe shoqëria serbe, duke u bazuar mbi urrejtjen ndaj botës, e ka prodhuar prototipin e tillë. Ky është prototipi që ka dalur nga mllefi pse bota e bombardoi Serbinë për Kosovën. Këtë mllef ky e shprehë edhe në fushë të tenisit dhe në media sa herë që i ofrohet rasti.

Tashti, krahasojeni këtë krijesë me Carlos Alcarazin. Një djalë i ri, teniser i shkëlqyeshëm, i qetë dhe i edukuar në frymën moderne njerëzore. Kjo është arsyeja që Wimbledoni dje ngrihej në këmbë për t’i brohoritur dhe për t’i dhënë zemër në detyrën e tij për ta mposhtur prototipin e padëshiruar. Dje në Wimbledon djaloshi i sjellshëm profesionist e ka mundur profesionistin e frustruar.