Komuna e Pianës së Arbëreshëve në Sicili ka nderuar Prof. Vebi Bexhetin me titullin “Qytetar Nderi”, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij dhe për forcimin e lidhjeve institucionale e kulturore me komunitetin arbëresh.
Në një ftesë zyrtare të drejtuar Prof. Bexhetit nga kryetari dhe këshilltari i Komunës së Pianës së Arbëreshëve, inxhinieri Rosario Petta, bëhet e ditur se ceremonia dhe aktivitetet do të zhvillohen në kuadër të Festës së Fondacionit, nga 24 deri më 30 gusht 2026.
Në dokumentin zyrtar thuhet se komuniteti arbëresh do të jetë protagonist i një sërë aktivitetesh historike, kulturore dhe të jashtëzakonshme, të cilat synojnë të promovojnë unitetin dhe pasurinë e arbëreshëve.
“Me këtë rast, kemi kënaqësinë t’Ju akordojmë Qytetarinë Nderi të komunës sonë”, thuhet në ftesën e Komunës.
Ceremonia pritet të jetë një tjetër dëshmi e lidhjeve të forta ndërmjet shqiptarëve dhe komuniteteve arbëreshe në Itali, si dhe e rëndësisë së ruajtjes dhe promovimit të identitetit, gjuhës dhe traditave shqiptare ndër breza.
Prof. Vebi Bexheti është ftuar të marrë pjesë në aktivitetet e Festës së Fondacionit, ku pritet të zhvillohen një sërë veprimtarish kushtuar historisë, kulturës dhe traditës së arbëreshëve.






