Pritet takimi i ri i bordit mbikëqyrës i M-NAV-it. Javën e ardhshme zyrtarizohet udhëheqësia e re

Këshilli Mbikëqyrës i M-NAV-it pranoi propozimin e Qeverisë për emërimin e Hekuran Asanit dhe Milan Koraqit për drejtorë të kësaj kompanie, në vend të drejtorëve të deritanishëm Fahrudin Hamidi dhe Ljube Stamenkovski. Të hënën pritet të mblidhet Këshilli edhe një herë për t’i nënshkruar procesverbalet e seancës së mbajtur, pas çka vendimi bashkë me të gjithë dokumentacionin do t’i dërgohet Regjistrit Qendror, i cili duhet t’i regjistrojë Asanin dhe Koraqin si drejtorë të rinj. Të gjitha procedurat pritet të përfundojnë javën e ardhshme. Shkarkimi i drejtorëve aktualë pason pas hyrjes së dhunshme në M-NAV më 4 janar. Nga Prokuroria dje bënë me dije se janë arrestuar edhe tre të tjerë nga gjithsej 8 persona të dyshuar për incidentin në M-NAV.