Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në Çair, përurohet rruga “Ibrahim Rugova”

Shkup, 27.04.2023 – Në Komunën e Çairit sot u përurua rruga me emrin e presidentit historik të Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, ndërsa në inaugurimin e rrugës mori pjesë Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, sikurse edhe Teuta Rugova e bija e presidentit, Ibrahim Rugova. Me këtë rast kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu në fjalimin e tij përkujtoi se kjo rrugë gjendet në një nga lagjet më të vjetra dhe shumë pranë Kalasë së Shkupit.

“Sot po e personifikojmë presidentin historik të Republikës së Kosovës, Doktor Ibrahim Rugovën duke ia vendosur emrin e tij njërës nga rrugët e kryeqendrës së vendit tonë. Në Shkup, ku ai shpesh vinte dhe gjente mikpritjen në familjet e këtushme. Ibrahim Rugova, pikërisht ky emër do të qëndrojë në dokumentet personale të qindra qytetarëve të Komunës së Çairit. Kjo është gjëja më e vogël që mund ne të bëjmë për dikë si Doktor Ibrahim Rugova, një njeri që deri në çastin e fundit të jetës së tij frymoi për Kosovën në veçanti dhe për shqiptarët në përgjithësi. Ai ishte arkitekti ideor, i cili me filozofinë e tij paqësore projektoi të ardhmen e Kosovës, si shtet i pavarur, në bashkëpunim të mirëfilltë diplomatik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian”, tha Ganiu.

Ai falënderoi Presidenten Vjosa Osmanin për nderin që ia ka bërë Shkupit, konkretisht edhe Çairit, duke përkujtuar se emri i Ibrahim Rugovës do të qëndrojë bashkë me 66 emrat e rinj që kanë marrë së fundi rrugët e Komunës së Çairit, në mesin e të cilëve janë shumë figura të shquara që do të jenë gjurmë e përhershme e përkujtim për të gjithë gjeneratat e reja.

Ai tha se Ibrahim Rugova tani erdhi e do të qëndrojë përherë në Shkupin e tij që e deshi me zemër.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu ndërkaq tha se Çairi do të jetë përjetë i nderuar, që po e përjetëson emrin e presidentit Rugova në këtë rrugë dhe padyshim se kjo tabelë me këtë emër është udhërrëfyese jo vetëm e rrugës, por edhe e veprës së presidenti Rugova.

“Ju vërtetë e keni hijeshuar komunën tuaj sepse emrat e rrugëve janë pasqyrë e historisë, kulturës dhe e identitetit tonë kombëtarë”, tha Osmani.

 Pas përurimit të rrugës “Ibrahim Rugova”, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani vizitoi edhe Çarshinë e Vjetër të Shkupit ku takoi esnafët lokalë, ndërsa bashkë me Ganiun vendosën lule tek shtatorja e Skënderbeut dhe tek busti i Hasan Prishtinës.