Presidenti i Napolit, De Laurentiis: Jam në favor të Superligës Evropiane, Serien A do ta bëjë me 14 ekipe

Presidenti i Napolit, Aurelio de Laurentiis është një nga drejtuesit e paktë të klubeve të njohura që është hapur në favor të Superligës Evropiane.

Ai ka thënë se pas vendimit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë do të krijonte menjëherë një ligë elitare italiane, e cila do të ishte shumë më fitimprurëse për klubet.

“U takova me presidentin e Real Madridit, Florentino Perez dhe ramë dakord që duhet të flasim me sipërmarrës të tjerë për idetë tona. Futbolli drejtohet nga njerëz të moshuar pa vizion. Futbolli është një biznes dhe duhet të rritet”.

“Unë investoj miliona për të konkurruar në një cirk nga i cili marr thërrime. Kjo më bën të luaj kumar dhe të investoj edhe më shumë në një projekt që nuk jep rezultat”.

“Liga italiane ka më shumë klube se më parë, por të ardhurat janë ulur. Do të nisja menjëherë Ligën E. Shkronja E shkon për fjalën Elitë. Do të konkurronin vetëm klubet me një numër të madh tifozësh, 14 prej tyre”.

“Do të ishin tifozët ata që do të zgjidhnin se cilat klube do të luanin në atë ligë. Stadiumet do të ishin të mbushura, si në ligën e mbyllur të NBA”, ka thënë De Laurentiis në një intervistë për Corriere dello Sport.

Serie A aktualisht ka 20 skuadra dhe edhe pse mbetet në mesin e kampionateve më të forta, sa i përket të ardhurave qëndron shumë më poshtë se Liga Premier.