Musiala tregon tri klubet që mund të mposhtin Bayern Munichun në garën për Ligën e Kampionëve

Bayern Munich janë në mesin e favoritëve për të fituar këtë sezon Ligën e Kampionëve, për shkak të futbollit shumë të mirë që po aplikojnë dhe formës së lartë të Harry Kane.

Gjiganti gjerman e transferoi kapitenin e Anglisë, Kane gjatë verës pas largimit të tij nga Tottenhami.

25 gola të shënuar në 22 ndeshje deri më tani në të gjitha garat, janë një tregues i mirë se Bayern mund ta fitojë këtë trofe.

Bayerni ishin të pozicionuar në grupin A së bashku me Kopenhagën, Galatasaray dhe Manchester Unitedin.

Ata ishin të pamposhtur në fazën e grupeve, duke fituar pesë ndeshje dhe duke barazuar në një prej tyre.

Bastet e kanë vënë Manchester Cityn si favoritin kryesor për fitimin e titullit të Ligës së Kampionëve, ndërsa Bayerni janë mbrapa tyre.

Sulmuesi i Bayernit, Jamal Musiala është pyetur për mendimin e tij për kundërshtarët më të vështirë në rrugën për të fituar për herë të shtatë këtë trofe në histori të klubit.

Musiala beson se Arsenali, City dhe Real Madridi janë tri ekipet që mund të cilësohen si favorit për Ligën e Kampionëve, së bashku me Bayernin.

“Real Madrid dhe Manchester City. Por Arsenali gjithashtu po luan një futboll mjaft të bukur nën urdhrat e Mikel Artetas”, ka thënë Musiala për Abendzeitung.