Metodologjia e zgjerimit të BE-së nuk pritet të prezantohet më 29 janar, ashtu siç ishte paralajmëruar disa herë. Një zëdhënëse e Komisionit Evropian konfirmon për Alsat se javëve në vijim do të prezantohen propozimet e KE-së për ta modernizuar metodologjinë e zgjerimit, që do të thotë se deri në fund të këtij muaji KE-ja nuk do të del me një metodologji të unifikuar. Zëdhënësja e KE-së thekson se ajo që është e qartë për KE-në është se modernizimi i procesit të zgjerimit duhet të shkojë paralelisht me hapjen e negociatave për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe pret që në Samitin e Zagrebit në maj të gjitha shtetet anëtare të pajtohen për këto dy gjëra.
Komisioni Evropian
• Javët në vijim do të bëjmë propozime për ta bërë procesin e negociatave më efikas, më kredibil, më të parashikueshëm, më objektiv, më politik dhe më dinamik. Qëllimi ynë nuk është ta ridizajnojmë por ta forcojmë dhe modernizojmë procesin.
• Paralelisht, Komisioni qëndron pas rekomandimit për të hapur negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe shpresojmë për një vendim pozitiv në prag të Samitit të Zagrebit në maj.
• Gjatë përgatitjeve për Samitin e Zagrebit, Komisioni do të bëjë një plan për zhvillim ekonomik të rajonit. Objektivi ynë është ta intensifikojmë prezencën tonë në Ballkanin Perëndimor dhe të ndihmojmë për ta tejkaluar dallimin ekonomik mes nesh.
Nga ana tjetër Presidenti i Këshillit Evropian, Sharls Mishel tha se institucioni të cilin e drejton po pret nga Komisioni Evropian propozime të qarta në lidhje me modernizimin e metodologjisë dhe hapjen e negociatave me Shkupin e Tiranën, duke theksuar se aktualisht nuk ka unanimitet mes shteteve-anëtare për temat në fjalë por se javëve, respektivisht muajve në vijim do të zhvillohet debat i fuqishëm. Nga Tirana, Mishel tha se e rëndësishme është që BE të përpilojë një pakt investimesh në Ballkanin Perëndimor, me të cilën jo vetëm që do të sigurohet zhvillimi social-ekonomik por do të forcohet marrëdhënia mes BE-së dhe rajonit.
Pohojmë edhe një herë se fati i Ballkanit Perëndimor duhet të jetë i kthyer kah Evropa. Kjo është një bindje e fortë që kërkon të vazhdojmë këtë dialog në mënyrë të rregullt. Kjo kërkon angazhim dhe mobilizim, reforma në shtetin e së drejtës dhe luftën kundër krimit të organizuar, tema këto të rëndësishme që të vazhdojmë të punojmë bashkë për ta riafirmuar atë që sapo pohova. E ardhmja e këtij rajoni është e rrënjosur në Evropë. Ne na takon që javëve dhe muajve në vijim të punojmë me këtë motiv, respektivisht ambicje – tha Sharls Mishel, President i Këshillit Evropian.
Pas Tiranës, pasdite Mishel do ta vizitojë Shkupin, me ç’rast do ta takojë Presidentin, Pendarovski, kryeministrin teknik, Spasovski dhe liderin e LSDM-së dhe VMRO DPMNE-së, Zaev e Mickoski. Mishel vjen në Shkup vetëm një javë pas vizitës së komisionerit evropian për zgjerim, Oliver Varhei dhe pritet të sjellë më shumë detaje rreth situatës në Bruksel në lidhje me hapjen eventuale të negociatave për anëtarësim me vendin tonë./Alsat