Premtimet e mëdha të Bilit të vockël!

Shkruan: Medai Shaholli

Prej kohësh nga udhëheqës komunal të Tetovës janë bërë premtime për ndryshimin e emrave dhe të rrugëve të vendosura që nga koha e vetëqeverisjes jugosllave në mënyrë të padrejtë me imponim nga strukturat e pushtetit të atëhershëm në një komunë me shumicë absolute shqiptare.

Para dhe pasi mori pushtetin komunal Bili i vockël dhe erdoganisti i thekur, u zotua se do t’i ndryshojë emrat e atyre shkollave që nuk meritojnë t’i mbajnë ato emra në një mjedis me shumicë shqiptare.

Dhe kështu kaluan muaj e muaj e po bëhen gati dy vjet nga mbërritja e Bilit mbi karrigen e kryekomunarit, por ama asgjë nuk duket në horizont mbi qiellin gri të Tetovës, shkollat e ‘druzhe’ Titos vazhdojnë të mbajnë emrat e tyre të komunizmit jugosllav, falë qëndrimit të prerë titistëve të rinj të SDSM-së dhe komitëve të VMRO-së në këshillin komunal të Tetovës, përmes Badinterit si mjet mbrojtës nga shumica.

Dhe vjen një ditë që gënjeshtra del në shesh ku premtimet nuk mbahen as nuk realizohen por ngelen si premtime për efekt propagandistik.
Bili i vockël i ‘Besës’ turke nuk e bën dot këtë ndryshim që duhet të ndodhë jo vetëm në Tetovë por në mbarë ‘Severnën’, ku emra të komunizmit jugosllav si ‘druzhe’ Tito, Mosho Pijade, Edvard Kardel, Ivo Llolla Ribar, Boshko Buha etj., janë emra që nuk kanë akordin dhe miratimin e shumicës shqiptare në këshillat komunale nëpër komunat me shumicë shqiptare.

Në këtë rast komitët e VMRO-së janë shprehur kategorikisht kundër nismës së këshilltarëve komunal të Tetovës se nuk do votojnë për t’i hequr emrat e Pejçinoviqëve nga shkollat dhe Ilindenskat nga bulevardi i Tetovës, duke ia kujtuar Bilit të vockël votat që bën kryekomunar ishin vota komitësh, pa të cilët menderja e tij nuk do mbërrinte kurrë në atë karrige.

Ndryshimi i emrave të rrugëve dhe të shkollave jo vetëm në Tetovë por në mbarë ‘Severnën’ mund të bëhet dhe duhet të bëhet, por për këtë çështje të ndieshme nuk ka gatishmëri nga partitë shqiptare në qeverinë e koalicionit, ku këta ato emra janë vendosur arbitrarisht me dhunë nga autoritetet e pushtetit komunist jugosllav.
Duket se kanë një marrëveshje mes bllokut shqiptar dhe atij sllav për mos t’i ‘prekur’ ato emra që nuk përfaqësojnë vullnetin e shumicës shqiptare në ato komuna ku shqiptarët përbëjnë shumicën.

Pra, mosgatishmëria e partive politike shqiptare për ta shporrur ‘druzhe’ Titon nga shkollat dhe bulevardet e qyteteve me shumicë shqiptare është marrëveshje me bllokun sllavo-maqedon, se ato qelbësirat do të vazhdojnë të qëndrojnë shëndoshë e mirë në sheshet dhe shkollat e qyteteve me shumicë shqiptare para syve tanë, si dekore të diktaturës ish jugosllave dhe të një sistemi të perënduar prej kohësh.