Drejtori i “Rrugëve të Maqedonisë” i shoqëruar nga kryetarja e komunës së Tetovës, kanë inspektuar fillimin e punimeve të rrugës në fshatin Shipkovicë, ndërsa u lavdëruan se, përveç kësaj rruge, do të meremetohen edhe rrugët për fshatrat që vazhdojnë pas. Premtime të tilla janë bërë vazhdimisht në të kaluarën, ndërsa për të arritur në Shipkovicë, udhëtimi është golgotë e vërtetë. Rrugët e fshatit Gajre me vite të tëra janë lënë tërësisht pas dore.
Fshati Gajre përveç problemit me rrugën, nuk ka kanalizim e as ujë të pijshëm. Banorët shumë herë i kanë njoftuar institucionet për gjendjen, por masa asnjëherë nuk janë ndërmarrë.
“Kemi bë kërkesa kemi bë edhe me shkrim e me thirrje e çdo gjë, kurrë nuk kanë marrë masa me bë diçka. Veç votat kur iu vijnë t’i marrin vijnë dhe më nuk vjen kurrë politikan këtu”.
“ Kjo kur a ndreq udha për në Kodër të Diellit e hapën edhe këtë këtu. Edhe bekatonat deri këtu te xhamia vet i kemi vendosur”.
Kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi e pyetur për shqetësimet e banorëve të Gajres, nuk dha përgjigje të prerë për hallet e tyre.
Normal ne punojmë intensivisht siç e shihnin shumë vendbanime dhe i kemi parasysh kërkesat e banorëve dhe aty ku kemi intervenime të kësaj natyre, të njëjtën kohë shkojnë edhe intervenimet lokale – tha Teuta Arifi, kryetare e komunës së Tetovës.
Rrugë të dëmtuara, mungesë kanalizimi dhe me probleme të shumta kanë pjesa dërmuese e fshatrave të Pollogut, të cilat me vite të tëra presin meremetim.