Pr/ligji për vetting nga BDI, reagojnë partitë

Bashkimi Demokratik për Integrim propozoi në Kuvend projekt-ligjin për Veting, përmes të cilit kërkohet kontroll i figurës së personave që janë bartës të funksioneve publike, dhe jo vetëm në gjyqësor siç zbatohet ky proces në Shqipëri, por të jetë gjithëpërfshirës për kandidatët që marrin pozita shtetërore dhe publike. VMRO-DPMNE-ja opozitare shprehet se dorëzimi i këtij propozim-ligji 10 ditë para shpërbërjes së Kuvendit është qasje jo serioze.

Kjo është një temë shumë e vështirë dhe e rëndësishme. Ligji për Veting është një sistem krejtësisht i ri në Maqedoni. Gjithsesi konsideroj se është jo serioze që 10 ditë para shpërbërjes së Kuvendit të hapet debat për një propozim ligj të tillë. Nëse BDI-ja si partner koalicioni do të ishte serioze, këtë propozim ligj mund ta dorëzonte le të themi në fillim të mandatit të kësaj Qeverie”-pohoi Naum Stoilkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE.

Nga Aleanca për Shqiptarët theksojnë se do të përkrahin çdo nismë për Vetting, por vlerësojnë se është qesharake që një ide të tillë e propozon BDI-ja.

Është interesante që Artan Grubi përmes Grupit Parlamentar të BDI-së e ka bërë një propozim të tillë, ne e përgëzojmë, i cili paska filluar të mendojë më në fund që të pastrojë radhët e BDI-së, përfshirë edhe liderin e partisë, që mund të jenë të përfshirë në korrupsion dhe në krim. Në si subjekt politik e padyshim do e përkrahim këtë propozim, por është qesharake që këtë propozim e bën BDI dhe Artan Grubi të cilët janë pjesë e përgjegjësive për dy dekada tek pjesa shqiptare”-tha Flakron Bexheti – ASH.

Lëvizja BESA konsideron se BDI nuk ka të drejtë morale që të ndërmarrë nismë për një propozim- ligj të tillë dhe sipas saj vetingun e vërtetë do ta bëjnë qytetarët në zgjedhjet e prillit.

Tentimet për të propozuar VETING ata të cilët gjithë këto vite u akuzuan për afera korruptive, keqpërdorim të detyrës zyrtare e kështu me radhë, nuk kanë të drejtë morale që të vendosin rregullat e lojës në një proces VETINGU. Me apo pa propozim ligjin e BDI-së, VETING-un e vërtetë pas 12 Prillit do ta bëjnë parti me të kaluar të pastër dhe pa hipoteka si është Lëvizja BESA. Ndërsa propozimi i BDI-së është i njëjtë sikur kriminelët e burgosur të menaxhojnë me burgjet e vendit dhe kjo nuk ka asnjë logjikë politike e morale”-thonë nga Lëvizja BESA.

Nga Alternativa thonë se për shkak se propozim ligji është dorëzuar një ditë më parë, i njëjti ende nuk ka mbërritur në duart e deputetëve andaj edhe nuk mund të prononcohen. Ndërsa edhe nga Lidhja Socialdemokrate nuk komentuan nëse do ta mbështesin këtë propozim-ligj. Përmes këtij propozim ligji parashikohet që të themelohet një Agjenci e cila do të merret me kontrollin e të gjithë bartësve aktual të funksioneve, por edhe të gjithë atyre që kandidojnë për funksioneve publike. Si bartës të funksioneve publike përmenden:

Propozim-ligji për vetting neni 14

-Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut

-Deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut

– Kryetar komune dhe i Qytetit të Shkupit

– Kryetari dhe anëtarët e Këshillit të Komunës dhe Qytetit të Shkupit

– Zyrtarë të zgjedhur dhe të emëruar nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë Veriore;

-Avokati i Popullit dhe zëvendësit e tij;

– Zyrtarë që administrojnë organe të pavarura (drejtori, agjenci dhe komitete), etj.

Përmes këtij ligji dhe kontrollit të integritetit dhe dinjitetit të mbajtësit dhe kandidatit për poste publike synohet të arrihet parandalim i korrupsionit, krimit, shpërdorimit të detyrës zyrtare dhe reputacionit të institucionit./Alsat