Brexit-i nuk cenon marrëdhëniet Shkup-Londër

Largimi i Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian nuk cenon marrëdhëniet e mira mes Shkupit e Londrës. Ambasadorja britanike thotë se Britania do të vazhdojë të mbetet partner strategjik i Maqedonisë së Veriut dhe do të vazhdojë ta mbështesë perspektivën euro-atlantike të vendit ashtu siç e ka mbështetur deri tani, pavarësisht se më nuk do të jetë shtet anëtar i Unionit.

Do të vazhdojmë ta mbështesim integrimin euro-atlantik dhe do të kyçemi në ndërtimin e një shoqërie stabile, prosperuese dhe gjithëpërfshirëse. Është e rëndësishme të them se do ta lëmë BE-në, por do të mbetemi anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, mbetemi në NATO, në G7, në G20, në OSBE, në Komonuelth, në Pesë Shtetet kështu që Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të ketë partner të fuqishëm në të gjitha këto organizata.”-tha Rachel Galloway, Ambasadore e Britanisë së Madhe në Shkup.

Nga Ministria e Jashtme thonë se deri në fund të këtij viti sa do të zgjasë periudha e tranzicionit për Britaninë e Madhe, nuk do të ketë asnjë ndryshim në marrëdhëniet mes Shkupit e Londrës, ndërsa nga viti i ardhshëm marrëdhëniet mes dy shteteve do të rregullohen me marrëveshje të re, e cila është në përgatitje e sipër.

Informojmë se Britania e Madhe dhe Maqedonia e Veriut periudhën e kaluar punuan në harmonizimin e një marrëveshjeje dypalëshe që do të hyjë në fuqi pas periudhës së tranzicionit. Marrëveshja është në fazë finale të harmonizimit, ndërsa ajo që mund të themi momentalisht është se me këtë marrëveshje arritëm të sigurojmë kornizë për vazhdim të marrëdhënieve tregtare të nivelit të njëjtë me atë të deritanishmin”-thonë nga Ministria e Jashtme.

Politologu, Qani Nuhiu thotë se një vendi të vogël siç është Maqedonia e Veriut i duhet një partner i madh si Britania e Madhe, një superfuqi diplomatike dhe faktor botëror në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Sipas Nuhiut është mirë që Brexit-i nuk zbehu dëshirën e shteteve të Ballkanit Perëndimor për t’u integruar, gjithsesi pret ridefinim të raporteve edhe atë: përafrim Londër- Uashington dhe Paris-Moskë, me ç’rast barra e BE-së do t’i mbetet kryesisht Gjermanisë.

Fati i kombeve të vogla në politikë është të gjejnë aleatë të mëdhenj, të sigurt, të sinqertë dhe që përputhen në koncepte. (1:15-1:47) Më vjen mirë të konstatoj se dalja e Britanisë së Madhe nuk e rrezikoi idenë e Bashkimit Evropian, pra nuk u hamendëm. Si duket Bashkimi Evropian relativisht shpejtë e mori veten, e pranoi si fakt të kryer, të vazhdojë me ato rrethana që kanë mbetur. Por është për t’u konstatuar me kënaqësi se shtetet pretendente të Ballkanit Perëndimor nuk e humbën entuziazmin për t’u anëtarësuar”-pohoi Qani Nuhiu, politolog.

Që nga viti 2017 Britania e Madhe ka investuar mbi 6 milion funta për programe në Maqedoninë e Veriut, duke financuar projekte të shumta në ekonomi, rini, qeverisje të mirë, siguri dhe NATO./Alsat