Pozicionimi pro Ukrainës dhe rreziku që skenari rus të shpaloset në kufirin Kosovë-Serbi

Edhe pse Ukraina deri tash nuk e ka konsideruar njohjen e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, ofrimi i mbështetjes nga ana e presidentes është konsideruar veprim i qëlluar. Sipas analistëve, Kosova si një vend me orientim perëndimor që aspiron të anëtarësohet në NATO, duhet të rreshtohet krah aleancave euro-atlantike. Derisa Perëndimi është përqendruar tek Ukraina, ka paralajmërime për rrezikun që një skenar i ngjashëm rus të shpaloset në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës

Vendim i natyrshëm dhe gjeostrategjik po konsiderohet pozicionimi i Kosovës pro Ukrainës, e cila po kërcënohet me luftë nga Rusia.Duke e rishpërndarë një postim të Ministrisë së Jashtme ukrainase që kërkoi mbështetje përballë kërcënimit rus, presidentja Vjosa Osmani tha se Republika e Kosovës qëndron përkrah Ukrainës.

Për ekspertin amerikan të çështjes së Ballkanit, Daniel Serwer, ky është qëndrimi i natyrshëm i Kosovës.

“Si një vend me orientim perëndimor dhe aspirata për t’u anëtarësuar në NATO, Kosova natyrshëm e konsideron se agresioni rus kundër një shteti sovran është i mjerë”, ka thënë Serwer për KOHËN.

Ai ka komentuar edhe synimet e Rusisë duke përmendur rastin e Kosovës për t’i arsyetuar pushtimet në vendet e ish-Bllokut Lindor.

“Gënjeshtrat e Putinit i mashtrojnë vetëm budallenjtë. Nuk ka diskriminim sistematik ndaj rusishtfolësve në Ukrainë, nuk ka fushatë të dhunshme qeveritare të spastrimit etnik të rusëve dhe nuk ka asnjë protektorat të OKB-së për të përgatitur pjesët e populluara me rusë të Ukrainës për vetëqeverisje. Nuk ka asnjë justifikim për kërcënimet ruse kundër Ukrainës”, ka theksuar ish-diplomati amerikan.

Kosova u pozicionua përkrah shtetit që ende nuk ia njeh subjektivitetin ndërkombëtar, ashtu siç kishte bërë edhe në vitin 2014 pas aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë. Madje, Qeveria e atëhershme i ishte bashkuar Perëndimit në vendosjen e sanksioneve për shtetin rus. Por kjo nuk ia ka ndryshuar Ukrainës qëndrimin për Kosovën.

Ligjëruesi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, thotë se nuk është momenti i duhur për ta kërkuar njohjen.

“Sa i përket pozicionimit të Kosovës karshi situatës në Ukrainë, pra është më shumë një pozicionim gjeostrategjik i Kosovës me botën perëndimore, respektivisht me NATO-n apo interesat e politikës së jashtme amerikane. Se a mundet Kosova të kërkojë diçka më shumë nga përkrahja që e jep në aspektin sidomos të njohjes, nuk mendoj se është momenti i duhur. Gjendja në Ukrainë aktualisht është shumë serioze dhe me rrezikshmëri të lartë”, ka theksuar Arifi.

“Andaj ne mund ta kërkojmë njohjen, por nuk do të ishte hap i duhur, në momentin e duhur. Duhet kuptuar, po ashtu, se një e treta e territorit të Ukrainës ka problem me separatistët pro rusë dhe po ashtu duke ditur se edhe Krimea është aneksuar para disa viteve dhe mendoj se situata nuk do të jetë shumë në favor të Kosovës. Nga aspekti gjeopolitik dhe gjeostrategjik është mirë që jemi rreshtuar karshi botës perëndimore dhe ky do të jetë synimi dhe orientimi ynë politik edhe në të ardhmen”, tha ai.

Me rastin e hapjes së Ambasadës ukrainase në Tiranë, nëntorin e vitit të kaluar, ishte përmendur edhe Kosova. Në takim me kryetaren e Komisionit për Politikë të Jashtme, Mimi Kodheli, ambasadori i Ukrainës, Volodymyr Shkurov, kishte deklaruar se për shkak të rastit të Krimesë, vendi i tij ka ndjeshmëri të madhe dhe kjo e bën të vështirë vendimmarrjen për njohjen e Kosovës.

Ngritja e tensioneve

Kufiri Rusi-Ukrainë është kthyer në një pikë tensioni me rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit. Rusia ka pozicionuar mbi 100.000 trupa pranë kufirit të saj me Ukrainën.

Kur Putini dhe presidenti amerikan, Joe Biden, u takuan përmes një video-konference më 7 dhjetor, presidenti rus kishte kërkuar garanci që Ukraina të mos i bashkohet kurrë NATO-s dhe që infrastruktura e Aleancës Veri-Atlantike të mos lejohet aty. Bideni nuk dha garanci të tilla me arsyen se Ukraina është një shtet sovran dhe i pavarur që i merr vetë vendimet. Aktualisht Ukraina është një nga gjashtë partnerët e mundshëm të zgjerimit të NATO-s, bashkë me Australinë, Finlandën, Suedinë, Gjeorgjinë dhe Jordaninë.

Duarkryq përballët kërcënimit rus nuk qëndroi as Perëndimi. Shtetet perëndimore e kanë paralajmëruar Rusinë për pasoja të mëdha në rast se ndërhyn ushtarakisht në Ukrainë.

Vetëm shtatë vjet më parë, Rusia ka pushtuar Krimenë që është pjesë e Ukrainës me pretekstin se po i mbronte rusët etnikë.

Më 16 mars 2014 kishte zhvilluar një referendum për ndarjen e Krimesë nga Ukraina dhe dy ditë më vonë kreu i Kremlinit kishte vulosur në mënyrë të njëanshme “bashkimin” e Krimesë me Rusinë.

Zgjidhje konfliktit nuk i dhanë as Marrëveshjet e Minskut për të ndaluar konfliktin e vazhdueshëm midis separatistëve pro-rusë dhe Qeverisë së Kievit.

Rreziku që skenari rus të shpaloset në veriun e Kosovës

Derisa administrata Biden dhe BE-ja është përqendruar tek Ukraina, analistët kanë alarmuar për rrezikun që një skenar i ngjashëm të shpaloset në kufirin midis Serbisë dhe Kosovës.

Në një vështrim të publikuar në KOHA, autorët Lulzim Peci dhe David Philips shkruajnë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jenë të gatshme për nxitjen ruse në shumë fronte.

“Putini mendon se mund ta shmangë një konfrontim të madh me SHBA-në për Ukrainën, duke krijuar një krizë midis Serbisë dhe Kosovës. Dhuna në Kosovë do të ngatërronte trupat amerikane dhe ato të vendeve të NATO-s që janë të stacionuara në Kosovë. Sulmi mund ta provokojë Shqipërinë për të intervenuar. Këshilli Veriatlantik mund ta aktivizojë Nenin 5 të Aktit Themelues të Aleancës Veriatlantike.

“Një sulm ndaj cilitdo aleat të NATO-s do të konsiderohet sulm ndaj të gjithë anëtarëve të Aleancës”, i cili do t’i ndërmerrte të gjitha veprimet e nevojshme për të asistuar”, kanë shkruar ata.

“Putini beson se “teatrot e luftës” së njëkohshme në Ukrainë dhe Kosovë do ta tejpërhapin NATO-n dhe do ta testojnë përkushtimin e Washingtonit. Dështimi në mbrojtjen e Kosovës do ta hapte derën për një luftë më të gjerë evropiane, duke ndikuar në rendin aktual botëror”.

Serbia kopjon Rusinë

Vitet e fundit Rusia dhe Serbia kanë zgjeruar shumë bashkëpunimin e tyre ushtarak dhe kjo u demonstrua jo më larg se fundvitin e kaluar. Pas vendosjes së reciprocitetit në targa nga ana e Qeverisë së Kosovës, Beogradi zyrtar dramatizoi situatën duke kërcënuar edhe me ndërhyrje ushtarake.

Homologu i Putinit në Serbi, presidenti Vuçiq, aktivizoi ushtrinë dhe avionët përreth kufirit me Kosovën. Krahas zyrtarëve serbë, trupat ushtarake ishin inspektuar nga ambasadori rus në Serbi, Alexander Botsan-Kharchenko.

Vuçiqi imitoi Putinin në deklaratat për Ukrainën, kur kërcënoi me ndërhyrje ushtarake në Kosovë “për ta shpëtuar popullatën e pambrojtur serbe”.

Serbia dhe Rusia kanë krijuar një “Qendër Humanitare” në Nish, rreth 100 kilometra larg nga kufiri me Kosovën. Baza është një qendër për operacionet e inteligjencës dhe një terren për operacione të veçanta, duke i përfshirë mercenarët rusë.

Ish-ministri i Integrimeve Evropiane, Blerim Reka, ka thënë se Serbia ka filluar tash e dy vjet ta kopjojë botën ruse, me projektet e saj. Sipas tij, Serbia e kopjon botën ruse pikërisht në të ashtuquajturën problematizimi i “shkeljes së të drejtave të serbëve jashtë Serbisë”, në mënyrë që siç ka thënë, të merret pretekst për të intervenuar në ato shtete.

“E pamë çka ndodhi në gusht me të ashtuquajturën diplomaci kishtare serbe, me inaugurimin e patriarkut serb në Mal të Zi. Po shikojmë se çka po ndodh me Bosnjë-Hercegovinën dhe Republikën Srpska. Është për t’u habitur se si BE-ja lejon një shtet kandidat që është Serbia, jo vetëm që të zhvillojë negociata, por edhe e shpërblen, në dhjetor të vitit të kaluar, në Samitin e fundit të Këshillit Evropian, si të vetmin shtet për të hapur kaptina të reja negociuese me BE-në, i cili nuk e zbaton as 43% të politikës së përbashkët të jashtme të sigurisë së BE-së, nuk aplikoi tash e 8 vjet asnjë nga sanksionet ekonomike ndaj Rusisë, blen armatim rus, shfrytëzon kreditë kineze jashtë rregulloreve dhe direktivave për treg të lirë të BE-së”, ka thënë Reka javën e kaluar në “Interaktiv” të KTV-së.

“Unë nuk di se çka mund të bëjë më tej BE-ja se kjo për ta dënuar si një shtet jo që nuk sillet si shtet kandidat i BE-së, por është pikërisht me një këmbë në të ashtuquajturin Union Euro-aziatik të Putinit, e në anën tjetër negocion për Unionin Evropian”.

Presidenti serb ka paralajmëruar pasoja nëse serbëve të Kosovës nuk u lejohet të votojnë në zgjedhjet e 3 prillit, sipas praktikave të kaluara. Por, Qeveria Kurti, që ndaloi shtrirjen e referendumit serb, ka lënë të nënkuptohet se nuk mund të ketë qendra të grumbullimit të votave as për zgjedhjet e Serbisë.

KOHA.net