Policia nuk e gjeti “minierën e kriptovalutave”, pronarët e larguan

Ministria e Punëve të Brendshme në mënyrë eksprese e zgjidhi rastin me prodhimin e fshehtë të kriptovalutave në Qendrën Tregtare të Qytetit. Kur u largua policia nga vendi i ngjarjes pa hyrë aspak në hapësirat e bodrumit të Qendrës Tergtare të Qytetit, ku kishte paralajmërim se janë vendosur makina për gërmime të kriptovalutave, hynë gazetarët të cilët gjetën minierë që ishte ngritur për të gërmuar nëpër një prizë të paligjshme të energjisë.

Gazetarët që hynë brenda, vërejtën edhe një furgon të dyshimtë, i cili sipas dëshmitarëve okularë, qëndron i parkuar para magazinës prej para një viti, dhe besohet se kishte qëllim që nëse vijë në ndonjë situatë të paparashikueshme, kompjuterët menjëherë të dislokohen në një vend tjetër. Pikërisht në këtë furgon, mbrëmë vonë, rreth orës 23.30 u ngarkuan kompjuterët nga magazina dhe u dërguan në një drejtim të panjohur.

Për këtë rast reagoi deputeti i VMRO-DPMNE-së Antonio Milloshovski. Ai në Facebook shkroi se për këtë rast nuk do të ketë as hetim dhe as padi. Ndërsa, llogaritë për shpenzim ilegal të rrymës siç tha detyrohen t’i paguajnë qytetarët dhe pronarët e shitoreve private në QTQ.

Antonio Milloshovski, VMRO-DPMNE

“Gazetarët e zbuluan se Gabriel dhe Elvis Bajram në magazinën e QTQ kanë një ‘fermë grafike’ të madhe për gërmimin e kriptovalutave, me shumë kompjuterë që harxhojnë shumë rrymë në ditë, ndërsa rryma është e QTQ-së, paguhet në 300 shitoret e Qendrës Tregtare. Por, Gabriel është këshilltar në listën e LSDM-së në Qytetin e Shkupit, ndërsa bashkëshortja e Sasho Tasevskit, Drejtorit të Byros për Siguri Publike pranë MPB-së është kryetare e Bordit të drejtorëve të QTQ-së. E njëjta është koordinatore e Forumit të Grave të LSDM-së në Kisella Vodë”.

Ministria e Punëve të Brendshme në njoftimin për media tha se nëpunës policorë pas bisedave me persona përgjegjës të QTQ-së dhe me përfaqësues të EVN-së, kanë konfirmuan se në numëratorët, të cilët janë pronë private, nuk është vërtetuar asnjë vjedhje e energjisë elektrike, pas së cilës është vërtetuar se nuk ekzistojnë elemente për vepër të kryer penale, e dënueshme në pajtim me Kodin Penal.