Pochettino: Messi në të njëjtin nivel me Maradonan

Trajneri i Paris Saint Germain, Mauricio Pochettino e ka cilësuar Leo Messin në nivel të njejtë me Diego Maradonan.

Që nga transferimi i Messit drejt PSG ai është kritikuar mjaft shumë.

Kjo pasi tifozët kanë pritur shumë nga argjentinasi, por atij po i duhet kohë të ambientohet në një ligë të re.

Ai tërë jetën e tij e kishte kaluar te Barcelona në La Liga, andaj ambientimi në ligën franceze mund t`i zgjasë më shumë.

Në lidhje me kritikat e adresuara ndaj Messit, ka reaguar edhe trajneri Pochettino.

Sipas tij ylli argjentinas është në të njëjtin nivel me Maradonan dhe nuk i meriton kritikat që po i bëhen.

“Nuk flasim për një lojtar të zakonshëm, Messi është në të njëjtin nivel me Diego Maradona”, ka thënë Pochettino për ‘RMC Sport’, përcjell lajmi.net.

“Të gjykosh Messin në këtë mënyrë është e padrejtë. Nuk kam dyshime për cilësinë e tij. Sezoni i ardhshëm do të jetë krejtësisht ndryshe për të”, vazhdoi trajneri.

34 vjeçari ka 31 paraqitje me PSG këtë sezon, ka shënuar nëntë gola dhe dhuruar 13 asistime.