Po shkëlqen te Leverkuseni, tre gjigantët evropianë duan transferimin e Grimaldos

Alejandro Grimaldo është një nga mbrojtësit e majtë më të mirë në botë, pasi ai këtë edicion është duke luajtur në mënyrë të mrekullueshme.

Mbrojtësi i majtë spanjoll iu bashkua skuadrës gjermane Bayer Leverkusen si transferim i lirë verën e vitit të kaluar nga Benfica dhe vlera e tij tani është ngritur në 45 milionë euro.

28-vjeçari ka numra të jashtëzakonshëm këtë edicion, ku në 41 ndeshje zyrtare ka shënuar 11 gola dhe ka asistuar në 15 të tjerë duke bërë për vete edhe top klubet evropiane.

Stili i tij sulmues i lojës dhe aftësitë krijuese e kanë bërë atë një nga mbrojtësit e krahut më të spikatur në Evropë, gjë që ka tërhequr vëmendjen e tre skuadrave të mëdha.

Bayern Munich, Arsenal dhe Liverpool janë të vendosur të nisin një betejë në afatin kalimtar të verës, teksa përpiqen të sigurojnë shërbimet e anësorit spanjoll.

Përkundër se është një nga pikat kyçe të skuadrës, Leverkusen mund ta shes mbrojtësin e majtë nëse vije një ofertë mbi 45 milionë euro, duke marrë parasysh se e kanë transferuar falas një vit më parë.

Sport Bild ka raportuar se tre klubet e interesuara për lojtarin e kanë monitoruar nga afër në disa ndeshje dhe në verë pritet të dalin me oferta zyrtare.

Falë paraqitjeve fantastike me Leverkusenin, Grimaldo ka fituar edhe një vend në Përfaqësuesen e Spanjës dhe pritet të jetë pjesë e listës për Euro 2024.