Platforma e bixhozit online “2win.mk” do të mbyllet në përputhje me vendimin e Qeverisë

Platforma për lojëra të fatit në internet e Video Lotarisë Shtetërore Kazinos Austria, 2win.mk do të mbyllet. Ky subjekt njoftoi për hapat që do t’i ndërmerr për rikthimin e depozitave të qytetarëve nëpër xhirollogaritë e tyre bankare.

“Ju informojmë se lojërat e fatit në internet që janë në rrjedhë, do të vazhdojnë deri në përmbylljen e tyre dhe fitimet e mundshme do të paguhen. Mjetet nga xhirllogaritë e regjistruara në lojëra të fatit në internet do të paguhen në tërësi. Pas pagesave, platforma do të jetë e qasshme vetëm për shqyrtim të profilit dhe pagesat e kryera. Derisa ka xhirollogari jo valide, do të keni mundësi të regjistroni xhirollogari të re bankare”, thanë nga Video Lotaria Shtetërore Kazinos Austria.

Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti gjatë intervistës në Alsat tha se pas bixhozit online, tani radhën e kanë kazinotë e egra apo kazinotë ilegale. Për këto të fundit është formuar “task force”, ndërsa për licencat jo ligjore për bixhozin online, përgjegjësia do t’i adresohet zyrtarëve të Qeverisë së kaluar.

“Vendimi i tretë në Qeveri ka të bën me organizimin e kazinove në mënyrë të egër. Ka informacione në Qeveri se ka shumë kazino të cilat nuk funksionojnë me koncesione por në mënyrë ilegale dhe kriminale të cilat janë problem për regjionin, jo vetëm për Maqedoninë. Dhe vendimi i tretë i Qeverisë është se kemi formuar “task force” në krye me Ministrinë e Digjitalizimit dhe me disa drejtori të cilat i shpallin luftë kazinove të egra”, deklaroi Izet Mexhiti, Zëvendëskryeministër.

Pas vendimit për marrjen e licencave të ndara në mënyrë jo ligjore dhe mbylljen e bixhozit online pas konstatimit se funksionon i ndarë në disa shoqëri aksionare e që bie në kundërshtim me Ligjin për lojërat e fatit, jo zyrtarisht janë ngritur të paktën 5 kallëzime penale mbi dyshimet për “shpërdorim me detyrën zyrtare” dhe “grup i organizuar kriminal”. /alsat.mk