Përshpejtohet shkrirja e akujve në Grenlandë dhe Antarktidë

Sipërfaqet më të mëdha të akullit në botë, Grenlanda dhe Antarktida janë duke humbur masat që kanë për gjashtë herë më shpejt në krahasim me vitin 1990, falë ngrohjes klimatike.

Disa pamje satelitore të siguruara nga të dyja polet, kanë treguar në mënyrë të qartë tendencat e përshpejtimit të shkrirjes, kanë thënë shkencëtarët.

Në një periudhë kohore nga viti 1992 deri më 2017, Grenlanda dhe Antarktida kanë humbur 6.4 trilionë tonë akull.

Kjo shifër është konsideruar e mjaftueshme për rritje të nivelit të deteve në botë për 17.8 milimetra.

“Kjo nuk është lajm i mirë”, ka thënë profesori, Andrew Shepherd nga Universiteti Leeds në Mbretërinë e Bashkuar.

“Sot, shtresat e akullit kontribuojnë në rreth një të tretën e rritjes së nivelit të deteve, ndërkohë në vitet 1990, kontributi i tyre ka qenë kryesisht i vogël, apo me rreth 5 për qind. Kjo gjë do të ketë implikime të rëndësishme për të ardhmen, për përmbytjet bregdetare dhe erozionin”, ka thënë ai për BBC.

Shepherd dhe ekspertë të tjerë kanë analizuar pamjet e siguruara nga anije kozmike vëzhguese për gati tri dekada.

Këta satelitë kanë qenë dëshmitarë të ndryshimeve të volumit, rrjedhës dhe gravitetit të shtresave të akullit në këto hapësira.