Përse gënjen Ali Ahmeti?

Shkruan: Medai Shaholli

Kryeintegristi Ali Ahmeti duke folur sot për 5 Majin ditën e dëshmorëve, ai kujtoi edhe Marrëveshjen e Ohrit, për të cilën tha se ”ajo ndryshoi statusin politik dhe juridik të shqiptarëve”!

Ai në këtë rast tha një gënjeshtër të madhe pasi MO, sanksionoi statusin denigrues të shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe si bashkësi e 20%!

Me ndryshimet kushtetuese statusi juridik dhe ai politik i shqiptarëve u çimentos për dekada të tëra me nenin e famshëm të gjuhës zyrtare në ‘vëndin’ e Ali Ahmetit, ku gjuha shqipe do të vazhdojë të trajtohet si gjuhë e një populli nomad pa identitet si gjuhë e shifrave dhe kjo falë angazhimit të Ali Ahmetit dhe të gjitha partive shqiptare papërjashtim që votuan atë kushtetutë raciste që nuk njeh komb dhe gjuhë tjetër zyrtare përveç sllavishtes në këtë ‘dërzhavë’ eksperimentale.

Ai më tej u lëvdua se ‘edhe pse kemi shumë punë për të bërë, por jemi dalë zotës në shtëpinë tonë përderisa ke gjuhë, flamur dhe universitete’.

Por ai nuk thotë, pse kemi flamurin në dimension 3:1 në raport me atë shtetëror?
Ali kapedani nuk tregoi përse ligji për arsimin e lartë nuk e njeh gjuhën shqipe si gjuhë të studimit por vetëm sllavishten e Zajkos?

Atëherë z.Ahmeti mund të na thuash cili është stastusi juridik dhe politik i shqiptarëve në ‘vëndin’ tënd sot pas 20 viteve të konfliktit të 2001, kur urdhërove luftëtarët e lirisë t’i dorzojnë armës pasi ‘kishim fituar barazinë’ me miratimin e MO, nga strofkulla juaj në Prizren apo gjetiu?

Jo, sigurisht që nuk mund ta thuash pasi ti me klanin tënd dezertuat nga misioni i lirisë dhe devijuat vullnetin e luftëtarëve të lirisë, për interesa karrieriste duke pranuar atë status denigrues që na quan bashkësi etnike e shifrave.
Kjo është e vërteta që populli duhet ta di se ideali i luftëtarëve të lirisë në kryengritjen e 2001 që ti e manipulove me sejmenët e tu, ishte për çlirim të vërtetë dhe jo për status dhe bashkësi evgjitësh dhe nomadësh të papërfillshëm.