Vijojnë përpjekjet për Ligjin e Prokororisë Publike

Takim i ri i grupit të punës në format më të gjerë, gjegjësisht me praninë e përfaqësuesve të të gjitha grupeve parlamentare do të mbahet sot për Ligjin për Prokurorinë Publike. Pas takimit që do të mbahet në Kuvend, do të dihet se a do të tejkalohen çështjet e hapura mes pushtetit dhe opozitës dhe përfundimisht Propozim-ligji të gjendet në seancë plenare.

Takimi, siç shkroi në Fejsbuk ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska, është me qëllim që të harmonizohet teksti që do të hyjë në procedurë kuvendore. Sipas Deskoskës, ky Propozim-ligj nënkupton ndërtimin e Prokurorisë së fuqishme për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e cila krahas kompetencave që i ka, do t’i ndërmarrë edhe rastet të cilat i udhëhiqte Prokuroria Speciale Publike.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi sot deklaroi se nëse deri në Parlament dorëzohet i harmonizuar Propozim-ligji për prokurorinë publike dhe me përmbajtje dhe me shumicë të dakorduar, ai menjëherë do të vendoset në seancë kuvendore.

“Ka mundësi të tillë rregulloreje”, deklaroi Xhaferi në takim me gazetarët, duke shtuar se gjithçka varet nga vullneti i përbërjes parlamentare.

Edhe kryeministri Oliver Spasovski thekson se është me rëndësi të miratohet zgjidhje ligjore që do të thotë para së gjithash zbatim të drejtësisë për çdo qytetar në shtet dhe zgjidhje ligjore, siç tha, e cila nuk do të lejojë mbrojtje të çdo individi, pa dallim nëse ai tani është pjesë e kësaj Qeverie ose ka qenë pjesë e Qeverisë paraprake ose ka qenë në çfarëdo pozite në shtet ose është qytetar i rëndomtë.

Debati publik që po zhvillohet në Kuvend, vlerësoi kryeministri Spasovski, tregoi se me të vërtetë ka se çka të dëgjohet nga ana e ekspertëve, të cilët objektivisht dhe në kuadër të ekspertizës së tyre mund të shfaqin mendimin e tyre lidhur me zgjidhjen ligjore.