Përmbytjet në Evropë, rreth 200 viktima

Numri i viktimave nga përmbytjet e fundit në Evropë ka arritur në rreth 200, njoftuan autoritetet. Ndërkaq, dhjetëra persona vazhdojnë të jenë të zhdukur. “Ekziston frika që numri i viktimave do të rritet”, tha policia në rajonin gjerman Rhineland-Palatinate. Në këtë deklaratë të policisë u tha se vetëm në këtë rajon, 670 persona janë lënduar. Përveç katër shteteve të goditura më së keqi nga përmbytjet – Gjermania, Belgjika, Holanda dhe Luksemburgu – me përmbytje tani po përballen edhe Zvicra, Austria dhe Republika Çeke. Të paktën 156 persona kanë vdekur në Gjermani, në atë që është përshkruar si përmbytjet më të këqija në historinë e këtij shteti. Ndërkaq, numri i viktimave nga përmbytjet në Belgjikë ka arritur në 27. Në Bavari është shpallur gjendje e jashtëzakonshme. “Shirat dhe stuhitë fatkeqësisht po shkaktojnë dëme të rënda në Austri”, tha kancelari austriak, Sebastian Kurz. Ndërkohë Belgjika ka shpallur 20 korrikun ditë zie për të nderuar viktimat e përmbytjeve.