Kurti pas vizitës në Francë, e cilëson Kosovën forcë ndërkombëtare në kinematografi

Kurti ka shkruar se Kosova është bërë forcë ndërkombëtare e kinematografisë.

Gjatë vizitës së tij dy ditore në Francë, kryeministri Kurti ka takuar edhe ministren franceze të Kulturës si dhe personalitete të botës së artit.

“Në kuadër të vizitës dyditore në Cannes takova Jerome Paillard, drejtorin e Marche dú Film të Kanës, tregut më të madh të filmit në botë; Stefan Laudyn, Drejtorin e Festivalit Ndërkombëtar të Varshavës; Nikolaj Nikitin, drejtorin e SOFA – shkolla për avancimin e filmit; Katriel Schorry, nga Fondi i Filmit të Izraelit, dhe Helge Albers, nga Fondi i Filmit të Hamburgut. I falenderova për mbështetjen e filmit dhe artistëve nga Kosova si dhe diskutuam për mundësitë e shtimit të bashkëpunimit”, shkroi Kurti në Facebook.

Kryeministri Kurti është kritikuar së fundi pasi që i njëjti qëndroi në Greqi për rreth dy javë. Pavarësisht situatës së krijuar në Deçan, ku mbi 1 mijë e 500 qytetarë u helmuan, Kurti nuk u kthye në Kosovë për t’i vizituar këta të fundit.

Postimi i plotë:

Kosova është bërë forcë ndërkombëtare në kinematografi. Nuk e takuam asnjë personalitet arti e kulture që nuk dinte për Kosovën. Samir Karahoda dhe Luàna Bajrami ishin krah për krah në Cannes me artistët më të shquar që erdhën këtu prej anekënd globit. Nga shumë mijëra filma ky Festival përzgjodhi rreth një dyzinë sosh për secilën kategori. Shumica dërrmuese e vendeve të botës nuk u kualifikuan. E Kosova kishte dy filma që u shfaqën dhe garuan. Rëndësia e artit dhe vlerat tona po bëhen bashkë për vetëdijen dhe shqisat e miliona shikuesve të huaj dhe mijëra artistëve të famshëm.
Në kuadër të vizitës dyditore në Cannes takova Jerome Paillard, drejtorin e Marche dú Film të Kanës, tregut më të madh të filmit në botë; Stefan Laudyn, Drejtorin e Festivalit Ndërkombëtar të Varshavës; Nikolaj Nikitin, drejtorin e SOFA – shkolla për avancimin e filmit; Katriel Schorry, nga Fondi i Filmit të Izraelit, dhe Helge Albers, nga Fondi i Filmit të Hamburgut. I falenderova për mbështetjen e filmit dhe artistëve nga Kosova si dhe diskutuam për mundësitë e shtimit të bashkëpunimit.
Po ashtu takova edhe Ministren Franceze të Kulturës, znj. Roselyne Bachelot, me të cilën biseduam për avansimin e prodhimit të përbashkët të filmave, si dhe kryebashkiakun e Cannes, z. David Lisnard. E në fund, ishte kënaqësi të takoj Kryetarin e Jurisë sivjet, regjisorin Spike Lee, si dhe regjisorin italian Paolo Sorentino.
Qeveria që e udhëheq do të jetë pranë artistëve tanë dhe do t’i përkrah ata si asnjëherë më parë./Lajmi.net/