Përjetësia e lirisë

Shkruan: Blerim Shala

Koha për Amshim.

Këto tri ditët e marsit, apo, 5, 6 dhe 7 marsi, të cilat tek ne njihen me atë emëruesin e  përbashkët të ‘Epopesë së Jasharëve’, për çdo vjet, qe një çerek shekulli, janë thirrje për të  gjithë ne, për përrulje, për respekt, për admirim, për vlerësim suprem. Janë ftesë për t’u ndalur para një rrëfimi historik që e ndryshoi, një herë e përgjithmonë,  historinë tonë si popull dhe të vendit tonë të quajtur Kosovë.

Për këtë shkak, kjo ngjarje që u zhvillua për tre ditë në Prekaz të Drenicës, nuk matet dot  me orë dhe me ditë, por shfaqet në atë Kalendarin e Amshimit për të gjithë ne. Lufta dhe flijimi i Jasharëve u përgatit gjatë. Dikush mund të thotë disa vjet, në ato  organizimet fillestare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë që njihnin një dyzinë individësh dhe  jo më shumë.

Këta nuk e kanë gabim.

Të tjerët mund të thonë që realisht, kjo luftë ishte një rrjedhë e pritshme e një Lëvizjeje për  pavarësinë e Kosovës, e cila u shfaqe në dimrin e vitit 1989, me krijimin e partive politike,  në krye me Lidhjen Demokratike të Kosovës të Dr.Ibrahim Rugovës. Të gjitha këto parti u bashkuan rreth një qëndrimi fare të thjeshtë dhe qind për qind të sakt:  ‘Liri, Demokraci’.

Popullit të Kosovës i duhej edhe liria, edhe demokracia.

Liria dhe demokracia atëbotë kishin domethënien e vendosjes për fatin e vet, si një popull,  si një territor.

As këta nuk e kanë gabim.

Po, të tjerët, mbase të gjithë ne, do të mund të shtojmë këtu, me të të drejtë, që lufta e  Jasharëve, fillet e saja i ka qysh në nëntorin e vitit 1912, kur Kosova dhe populli shqiptar  në te, u okupuan nga Serbia, dhe kur shteti i pavarur i Shqipërisë u bë pa Kosovën. A nuk nisnin shumë këngë folklorike ndër ne, prej asaj vjeshte, me atë të njohurën: ‘Çonu  djem se na rrethoi Serbia…’.

As këta nuk e kanë fare gabim.

Liria në Kosovë nisi të mbarset pikërisht në atë fillin e një Epoke të okupimit nga Serbia. Shqiptarët e Kosovës asnjëherë nuk janë pajtuar me këtë fat, me këtë robëri. Për 87 vjet të tjera (prej atij viti 1912), ata, në të gjitha mënyrat dhe format e ndryshme,  kanë treguar që nuk e kanë ndërmend të pajtohen dot me këtë fat të shkruar dhe të  nënshkruar nga të tjerët, në Beograd, dhe në rrethanat ndërkombëtare evropiane të cilat  ishin krejtësisht të pafavorshme për ne, si shqiptarë.

Kjo rezistencë e madhe, me të gjitha sakrificat e mundshme, është bërë bashkë me atë  mbijetesën kombëtare në gati një shekull të robërisë, për të mbërritur kështu në ato pak  ditët e marsit të vitit 1998, në një lagje të vetme të një fshati, ku një kryengritje të gatuar  për breza të tërë mori trajtën e një lufte të një familjeje, e cila ato ditë, foli (nëse mund të  themi ashtu), në emër të të gjithë neve, për t’i kallëzuar të gjithëve që këndejpari më nuk  mund të ketë robëri, dhe që jeta s’vlenë gjë pa liri.

Nuk kishte më frikë ndër ne. Dhe turpin e të qenit robër, e shkelëm duke qenë të guximshëm  dhe duke luftuar.

Për liri duhet gjak por edhe kohë.

Kjo thënie e njërit prej themeluesve të rezistencës kombëtare në një popull evropian, duket  se ka atë saktësinë e madhe, e cila na u bë e ditur neve vetëm pasiqë mbërritëm në atë  qershorin e vitit 1999.

Gjithë ato sakrifica që i bëmë prej vjeshtës së vitit 1912-të e tutje, u mblodhën në kohë,  dhe arritën në atë marsin e vitit 1998-të, kur e zhbëmë motin e lig të Serbisë këtupari, dhe  kur shpërthyem në atë Amshimin e quajtur më pas çlirim, liri dhe pavarësi. Kështu, një çerek shekulli s’është gjë fare, nga ai pikëshikimi i vitit 1998. Dhe as ky pesëmbëdhjetë vjetëshi që prej se është shpallur Kosova shtet i pavarur, nuk  është gjë fare.

Liria dhe shteti i Kosovës janë të përjetshëm. Si ato ditët e 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998. Si Adem Jashari dhe familja Jashari.