Përgatitjet e Kukësit në Antalia, rrëfehet talenti tetovar, Valon Et’hemi 

Nga katër janari i këtij viti, skuadra e Kukësit nga Superliga e Shqipërisë, gjendet në përgatitje në Antalia të Turqisë.

Përvec stërvitjeve të rregullta, ekipi që drejtohet nga trajneri Shpëtim Duro ka në planë edhe zhvillimin e disa miqësoreve në tokën turke.

Talenti tetovar, Valon Et’hemi, njëri nga futbollistët më të mirë të Kukësit, rrëfen për përgatitjet në Antalia, ndeshjet përgatitore dhe pritjet në sezonin pranveror.

 

“Fakti që në këtë periudhë të vitit Antalia vërshohet nga qindra klube nga e gjithë bota është tregues se kjo qendër është e dëshmuar dhe e njohur për kushtet fantastike që ofron, klimatike dhe terrenet për punë, si dhe kapacitetet hotelerike”, deklaron mesfushori 22 vjecar nga Pallatica e Tetovës për të shtuar:

“Realisht sapo kemi filluar, por nga këto ditë të para jemi të kënaqur dhe besoj të vazhdojmë me këtë ritëm. Brenda grupit kemi shumë harmoni dhe ky fakt na bën që punën ta bëjmë me kënaqësi”.

Futbollisti ambicioz i Kukësit e pranon se fillimi i përgatitjeve është i vështirë.

“Gjithmonë starti është më i vështirë, pasi në këtë fazë kërkohet të akumulojmë forcë fizike. Ndërkohë, vijmë nga pauza që gjithsesi se tashmë kërkon sforco për kompensim të asaj që kemi humbur nga mungesa e ritmit stërvitor. Sigurisht se planprogrami i stafit teknik është në atë drejtim dhe si unë, ashtu edhe shokët e ekipit jemi të gatshëm të përgjigjemi me përkushtim për gjithë ato gjëra që do të na kërkohen nga stafi teknik”, thekson Et’hemi.

Ai flet edhe për ndeshjet miqësore që do t’i luajnë në Turqi.

“Stafi teknik na ka njoftuar me planin përgatitor dhe në të njëjtin krahas seancave stërvitore figurojnë tre termine për ndeshje kontrolluese. Një ishte paraparë të luhet me 7 janar, por është anuluar me kërkesë të klubit Trabzonspor. Ndërsa, dy të tjerat janë në program me 11 janar kundër turqve të Malatiaspor dhe katër ditë më vonë ndaj rumunëve të Politeknika”, tregon Et’hemi, i cili edhe në miqësore dëshiron që Kukësi të shënoj fitore.

“Para se gjithash shpresoj të realizojmë atë që ka planifikuar stafi teknik. Sigurisht se duam rezultate positive, edhe pse bëhet fjalë për ndeshje kontrolluese. Por, më e rëndësishmja është që përmes këtyre takimeve të arrijmë formën optimale për vazhdimin e kampionatit”.

Në fund, Et’hemi tregon synimet e Kukësit në pranverë.

“Asgjë më shumë se sa të gjendemi në fund të sezonit aty ku e mbyllëm vitin 2019. Personalisht shpresoj të mos kem lëndime, që të mund të jap kontributin tim në luftën për titullin e kampionit”, përfundon bisedën Valon Et’hemi, mesfushori ambicioz i Kukësit./Gazeta Lajm/