Për realizimin e një premtimi të BDI-së nevojiten mesatarisht 10 deri 12 vite! Disa nuk realizohen kurrë!

Xhemal Zejneli
Nëse e kthejmë “lentën” mbrapa dhe mendojmë se kur u premtua zgjidhja e statusit të UÇK-së, ndryshimi i emrave të shkollave, hapja e vendkalimit kufitar Llojan-Miratoc, ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë, transporti publik në Tetovë, mbyllja e Jugohromit, pika kufitare Bellanoc-Stançiq, ndërtimi i bibliotekës te Sheshi Skënderbeu, na imponohet të bëjmë një matematikë dhe të llogarisim se sa vite duhet të kalojnë nga premtimi deri te realizimi i një projekti që është në favor të shqiptarëve, deri sa BDI-ja është në pushtet. Lehtë konstatojmë se kur është fjala për projektet shqiptare që i premton BDI-ja vlen fjala e urtë “Nga e thëna në të bërë, një mal i tërë”. Bile as kjo fjalë nuk e përshkruan ngadalësinë e projekteve që realizon BDI. Jo vetëm një, por shumë kodra e male paraqiten në rrugën e realizimit të plotë të një projekti që është në dobi të shqiptarëve. Kur nxjerrim një mesatare, na del se 10 deri 12 vite duhet të kalojnë, që një projekt sado pak i vogël të realizohet. E shumë projekte që janë premtuar, nuk janë realizuar kurrë. Disa tjera u realizuan vetëm pasi partia e Ali Ahmetit dhe Musa Xhaferit u dobësua duke rënë nga 20 në 10 deputetë. Athua fuqia e kësaj partie paska qenë pengesë, e jo përparësi për realizimin e projekteve shqiptare? Pyetje që ja vlen të mendohet mirë e mirë, para se t’i jepet përgjigja më 12 prill!
E për çudi, deri sa projektet shqiptare zvarriten maksimalisht, gjatë qeverisjes së BDI-së projektet e dobishme për maqedonasit realizohen me shpejtësi marramendëse.
Kujtoni vetëm projektin Shkup 2014 dhe gjithçka do të jetë e qartë. Sa shpejtë ndërtohej ky projekt edhe pse kushtonte qindra miliona. Nuk ishte aspak problem për BDI-në të heshtë dhe t’i votojë buxhetet vjetore, deri sa harxhoheshin 700-800 milionë euro për këtë projekt monoetnik e monofetar.
Sipas logjikës së shëndoshë, nuk qenka problemi se kjo parti nuk mundet, por nuk dëshiron të realizojë projekte te shqiptarët. Nëse gjatë qeverisjes së saj aq shumë punoheshka për maqedonasit, pse nuk punohet me të njëjtin intensitet edhe te shqiptarët?