NBA, fitojnë Lakers dhe Raptors, ngecin Celtics dhe Nuggets

Los Angeles Lakers regjistruan fitoren e 47-të sezonale në 60 takime në total në NBA pasi mposhtën lehtësisht me rezultatin 120-107 Philadelphia 76ers. Anthony Davis ishte heroi i padiskutueshëm i skuadrës kaliforniane me 37 pikë 13 rebound dhe 2 asiste. Bëri një paraqitje të mirë edhe mbreti i James i cili e mbylli ndeshjen me 22 pikë 7 rikuperime poshtë tabelës dhe plot 14 asiste. Nëse vazhdojnë me këtë ritëm Lakers e kanë të sigurt vendin e parë në konferencën e Perëndimit dhe do të kenë faktorin e parketit në të gjitha sfidat play-off në Perëndim. Pas 3 humbjesh rresht buzëqeshën edhe kampionët në fuqi të NBA. Toronto Raptors triumfoi me shifrat 123-114 në transfertën e Arizonas ndaj Phoenix Suns.

Meritat shkojnë të gjitha për Pascal Siakam. Kamerunasi zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer teksa koleksionoi në total 33 pikë, 7 rebound dhe 3 asiste. Me këtë sukses skuadra kanadeze blindoi vendin e dytë në Lindje që po i kërcënohej nga Boston Cetlics. Në fakt skuadra më e titulluar e NBA, pësoi një tjetër disfatë pas kohës shtesë pasi u mposht brenda në TD Garden nga Brooklyn Nets me rezultatin 120-129. Pa dy yjet e skuadrës Irving dhe Durant që vazhdojnë të jenë të dëmtuar ishte LeVert ai që mori për dore skuadrën nju-jorkeze me plot 51 pikë të realizuara. Bëri surprizën ndërkohë Golden State Warriors që triumfoi në transfertën ndaj Denver Nuggets me shifrat e thella 116-100. Paschall dhe kanadezi Andreë Wiggins me nga 22 pikë secili ishin dy lojtarët që udhëhoqën skuadrën nga San Francisco drejt fitores së 14-të sezonale, megjithatë Golden State vazhdon të pozicionohet në vendin e fundit në Perëndim.