Për pak ditë vdesin “befasisht” disa anëtarë të partisë së Putinit

Një ish-komandant i ushtrisë ruse me lidhje të gjata me Ukrainën, ka vdekur “papritmas” në moshën 69-vjeçare, ka njoftuar fabrika e tankeve ku ai punonte.

Uralvagonzavod, prodhuesi më i madh i tankeve në Rusi, ku gjenerali Alexei Maslov kohët e fundit punoi si përfaqësues i shitjeve ndërkombëtare, nuk dha shpjegim shtesë.

Gjenerali Maslov, i cili ishte komandant i përgjithshëm i forcave tokësore të Rusisë nga viti 2004 deri në 2008, vdiq në ditën e Krishtlindjeve në një spital ushtarak në Moskë.

Uralvagonzavod e quajti atë “një komandant të shquar, që bëri një udhëtim të guximshëm nga komandanti i togës te komandanti suprem i forcave tokësore”.

Ish-komandanti, i cili vjen nga një rajon rus në kufi me Ukrainën, kishte lidhje të ngushta me vendin që Rusia pushtoi në shkurt, shkruan The Telegraph.

Karriera ushtarake e gjeneralit Maslov filloi në Ukrainën Sovjetike, ku ai studioi në kolegjin më të lartë të komandantëve ushtarakë në Kharkiv. Më vonë ai u vendos në malet Karpate në kufi me Rumaninë.

Pas katër vjetësh në komandë të forcave të armatosura të Rusisë, gjenerali Maslov u emërua zëvendës i Dmitry Rogozin, atëherë i dërguari i Rusisë në NATO në Bruksel.

Rogozin, një mbështetës i vendosur i pushtimit rus të Ukrainës, i cili u plagos në një sulm nga ukrainasit javën e kaluar, e përshkroi gjeneralin si “një oficer me përvojë dhe një komandant kërkues”.

Vdekja e gjeneralit Maslov, erdhi disa ditë pasi një zyrtar i Marinës i ngarkuar me ndërtimin e nëndetëseve, gjithashtu vdiq “papritmas”.

Alexandar Buzakov (65) vdiq fundjavën e kaluar, një ditë pasi udhëhoqi nisjen e një nëndetëse të re nga kantieri i anijeve ruse Admiralty në Shën Petersburg. Kompania ku ai punonte e përshkroi vdekjen e tij si “të papritur, të parakohshme dhe tragjike”.

Pasi politikani, deputeti dhe multimilioneri rus Pavel Antov, anëtar i partisë Rusia e Bashkuar e Putinit, u gjet i vdekur jashtë një hoteli në Indi, pati spekulime për shkaqet e vdekjes së tij.

Kujtojmë se Antov ishte në një udhëtim me tre miq të tij me rastin e 66-vjetorit të lindjes.

Antov kohët e fundit kritikoi presidentin rus Vladimir Putin për luftën në Ukrainë, por shpejt i tërhoqi kritikat e tij. Vdiq pasi u rrëzua nga kati i tretë i hotelit të tij më 24 dhjetor.

Miku i tij Vladimir Bidenov u gjet i shtrirë pa ndjenja në dhomën e tij dy ditë më parë, dhe u shpall i vdekur nga mjekët në spitalin e qarkut.

Alexandr Sherba, një diplomat ukrainas i cili ka punuar si ambasador i Ukrainës në Austri nga viti 2014 deri në vitin 2021, duke komentuar incidentin, konfirmoi se konsulli i përgjithshëm rus në Kalkuta deklaroi se policia nuk sheh asgjë të dyshimtë për vdekjen e Antov, shkruan Sky News.