Për Grubin s’kishte vend në shënimin e Ditës së Mësuesit që u organizua nga Çairi dhe Saraji (Video)

Se po vazhdojnë fërkimet brenda BDI-së, kjo u pa edhe sot në shënimin e festës së 7 marsit, në manifestimin e organizuar nga dy komunat, ajo e Çairit dhe e Sarajit, raporton TV21.

Në këtë event nuk u pa asnjë funksionar i lartë Qeverisë. Aty ishte vetëm sekretari shtetëror i arsimit Selatin Beluli.

Nga komuna e Çairit për TV21 njoftuan se këshilli organizativ në këtë manifestim nuk ka ftuar funksionar të Qeverisë, pasi siç thanë nuk kanë dashur ta politizojnë këtë ditë të shenjtë të mësuesit.

Në rendin e parë ishin ulur dy krerët e komunave Çair dhe Saraj, Visar Ganiu dhe Blerim Bexheti. Aty ishte edhe deputeti i BDI-së Izet Mexhiti.
A po e vazhdon inatin i ashtuquajturi “grupi i zjarrit” ndaj zëvendëskryeministrit të parë Artan Grubi?

Me që nuk ishte ftuar në këtë event, Grubi sot shkoi për të vizituar kujdestarin e tij të dikurshëm profesor, Musa Zukën.

Ndonëse Blerim Bexheti, Izet Mexhiti, Musa Xhaferi dhe Sadulla Duraku disa herë janë parë në fotografi duke qëndruar bashkë, ata kanë mohuar se brenda BDI-së ka grupe të ndara.

Pakënaqësitë brenda integristëve nisën që kur u formua Qeveria e re, ndërsa Mexhiti deklaronte se “do votojë për qeverinë me vërejtjet personale që ka ndaj një pjese të ekzekutivit”.

Ndryshe Këshilli organizativ për shënimin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit i përbërë nga Komuna e Çairit dhe Komuna e Sarajit në manifestimin e sotëm nderoi kontributin dhe sakrificën e mësuesve të përndjekur dhe të diferencuar politik në periudhën e komunizmit./TV21