Pendarovski – Piç: Fillimi i negociatave mes RMV-së dhe BE-së do të sjellë stabilitet në Ballkan

Çështja lidhur me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian (BE) dhe dialogu me Bullgarinë, kanë qenë një nga temat kryesore të takimit të sotëm të presidentit Stevo Pendarovski me përfaqësuesin special të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Ser Stjuart Piç.

Pendarovski, siç kë bërë të ditur Kabineti i tij e ka informuar mysafirin për përparimin e dialogut mes dy vendeve dhe në këtë kontekst, presidenti e ka falënderuar për interesin dhe mbështetjen e Britanisë së Madhe për dialogun maqedono- bullgar. Shefi i shtetit ka theksuar se tejkalimi i bllokadës për fillim të negociatave paraqasëse me BE-në do të sjell parashikueshmëri dhe stabilitet shtesë për Ballkanin Perëndimor.

Presidenti ka shprehur kënaqësi nga vizita e përfaqësuesit special Piç së shpejti pas emërimit të tij në funksion në dhjetor të vitit 2021, duke vlerësuar se ky është konfirmim mbi përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar në ruajtjen e stabilitetit dhe prosperitetit në rajon.

Bashkëbiseduesit kanë shkëmbyer mendime dhe informacione mbi gjendjen aktuale në vend dhe rajon si dhe mundësitë e bashkëpunimit me Britaninë e Madhe për temat me interes të përbashkët lidhur me stabilitetin dhe sigurinë si dhe forcimin e institucioneve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë.

Pendarovski dhe Piç mes tjerash kanë biseduar edhe për bashkëpunimin e shkëlqyer bilateral mes Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe mundësitë e forcimit të bashkëpunimit mes dy shteteve dhe sigurimin e mbështetjes së mëtejme britanike në më shumë sfera dhe forma.