Pendarovski deri tek të punësuarit shëndetësorë: Të gjithë jemi me ju

Presidenti Stevo Pendarovski përmes video lidhjes realizoi bisedë me drejtoreshën dhe me personelin mjekësorë në Klinikën infektive në Shkup, me ç’rast u informua për gjendjen aktuale në Klinikë, për numrin e pacientëve dhe gjendjen e tyre shëndetësore, si dhe për kapacitetet akomoduese të këtij institucioni dhe për personelin mjekësor në dispozicion.

“Motivimi juaj, përkushtimi dhe para së gjithash profesionalizmi me të cilin çdo ditë i kryeni obligimet në këtë krizë shëndetësore të shkaktuar nga virusi Covid-19, tek unë dhe besoj edhe tek të gjithë qytetarët tanë zgjon ndjenjën e sigurisë dhe qetësisë. Ju inkurajoj të vazhdoni me tempon e njejtë dhe të kujdeseni për pacientët. Uroj që numër sa më i madh i të shëruarve të përcillen në shtëpi tek familjet e tyre. Qëndroni në këtë betejë, të gjithë jemi me ju”, i porositi presidenti.

Të punësuarit në Klinikën infektive, siç informojnë nga Kabineti i Presidentit, e njoftuan presidentin Pendarovski për rreziqet e mëdha që i sjell puna e tyre dhe për pajisjet e disponueshme për mjekët dhe personelin mjekësor-teknik të Klinikës, si domosdoshmëri dhe nevojë në angazhimin e tyre. Ata cekën se kanë mjaft mjete dhe se Klinika e tyre rregullisht furnizohet, ndërkaq i tërë personeli është i angazhuar maksimalisht dhe me përkushtim në zbatimin e të gjitha masave mbrojtëse, duke iu përmbajtur rreptësisht rekomandimeve të OBSH-së.

Në bisedë, presidenti Pendarovski dhe personat e punësuar mjekësorë në Klinikën infektive në Shkup dërguan porosi të përbashkët drejt të gjithë qytetarëve për respektim të masave dhe rekomandimeve, sepse ato janë për të mirën e çdokujt dhe se kjo është mënyra e vetme për tejkalim sa më të shpejtë të kësaj krize.