Pekini premton lojëra dimërore të gjelbra dhe të qëndrueshme

Lojërat Olimpike Dimërore do të kenë një sistem menaxhimi të gjelbër e të qëndrueshëm dhe do të nxisin zhvillimin rajonal të Pekinit dhe të qytetit bashkorganizator Zhangjiakou, thanë organizatorët e “Pekin 2022” në një konferencë shtypi të enjten.

Lojërat Olimpike të Pekinit 2022 kanë zbatuar rreptësisht menaxhimin me lëshim të ulët karboni, dhe të gjitha objektet plotësojnë standardet e ndërtesave të gjelbra, theksoi Li Sen, drejtor i përgjithshëm i Departamentit të Planifikimit të Përgjithshëm të Komitetit Organizator të Lojërave Olimpike të Pekinit (BOCOG).

Të gjitha mjediset përdorin energji të përtëritshme dhe Pekini ka ndërtuar një rrjet hekurudhor midis zonave olimpike, duke forcuar sektorin e shërbimeve rajonale, bënë të ditur organizatorët.

BOCOG-u publikoi Raportin e Qëndrueshmërisë të Para-Lojërave të Pekinit 2022 në këtë konferencë shtypi. Raporti përmend statistikat më të fundit të publikuara nga Administrata e Përgjithshme e Sportit e Kinës, që tregojnë se 346 milionë veta marrin pjesë tani në sportet dimërore.

Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Thomas Bach dhe presidenti i Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar Andrew Parsons vlerësuan lart raportin nëpërmjet videove të shfaqura në konferencën e shtypit.

Në mesazhin e tij, Bach u shpreh:

“Siç përshkruan ky raport, ‘Pekin 2022’ po ndihmon në përshpejtimin e zhvillimit të qëndrueshëm në Kinë, duke paraqitur zgjidhje për një të ardhme më të qëndrueshme.”(Artan/Fani)