Pyetja për Masakrën e Çirezit shkakton përplasje mes prokurorit dhe avokatit në Speciale

Seanca ka filluar me tensione mes mbrojtjes së Nasim Haradinajt dhe Prokurorit të Specializuar, pasi që avokati dëshironte të bënte një pyetje për Haradinajn ku përmendej masakra e Çirezit, shkruan lajmi.net.

Përveç kësaj, në pyetjen e tij avokati përmendi edhe masakrën ndaj familjes Jashari në Prekaz të kryer nga forcat serbe, teksa deshi ta pyes Haradinajn në lidhje me një listë që ai kishte përpara.

Sidoqoftë, kjo pyetje u kundërshtua nga Prokurori, i cili paraqiti ankesë tek Trupi Gjykues.

Sipas Prokurorit, kjo çështje nuk ndërlidhej me rastin për të cilin akuzohet Nasim Haradinaj si dhe në të kaluarën ai nuk kishte bërë pyetje në lidhje me këtë çështje.

Ankesa e Prokurorit u pranua nga gjykatësi i cili konkludoi se avokati po bën pyetje sugjestive dhe të asaj forme që nuk ndërlidhen me dëshminë e dhënë paraprakisht kur Haradinaj ishte marrë në pyetje nga prokurori.