Pekin 2022 ofron mundësi biznesi

Suksesi i Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit 2022 ka nxitur zhvillimin e sporteve të akullit dhe të dëborës dhe industrive të ngjashme në Kinë, deklaroi Bian Zhiliang, presidenti i gjigantit kinez të industrisë sportive “Mount Tai Sports”, citon “Xinhua”.

“Një numër i madh i pajisjeve “Made in China” për sportet e akullit dhe borës të përdorura në Lojërat Dimërore të Pekinit kanë parë një përmirësim të madh në drejtim të inovacionit të teknologjisë shkencore në industrinë sportive dhe në pasurimin e produkteve për disiplinat e dimrit”, -tha Bian, i cili theksoi se “Mount Tai Sports” ka një grup kërkimi dhe zhvillimi që përfshin më shumë se 300 anëtarë.

“Më shumë kompani do të investojnë në këtë drejtim të produkteve dhe pajisjeve të sporteve dimërore pas Pekinit 2022”, -vuri në dukje Bian, duke shtuar se industria e prodhimit të akullit dhe borës së Kinës po përqafon këtë mundësi historike.

Sipas Zyrës Kombëtare të Statistikave, që nga tetori 2021, 346 milionë kinezë, pothuajse një e katërta e popullsisë së vendit, kishin marrë pjesë në sportet dimërore.

“Rritja e pjesëmarrjes lokale në sportet dimërore ka bërë që tregu kinez i pajisjeve sportive dimërore të lulëzojë. Me popullaritetin e Lojërave Olimpike Dimërore, më shumë konsumatorë njohin nevojën për pajisje profesionale për akull dhe borë”, -tha Wang Xueli, drejtor i Qendrës së Zhvillimit të Industrisë Sportive të Universitetit Tsinghua. (Irma)