PDSH: Komunat e Tetovës dhe Gostivarit kanë dështuar

PDSH sot përmes një konference me gazetarët ka aktualizuar gjendjen e rënduar të komunikacionit rrugor në Komunat më të mëdha të Pollogut, gjegjësisht të Tetovës dhe Gostivarit.

“Udhëheqësia e komunave në fjale, jo që nuk arritën që të zgjedhin problematikën e komunikacionit ashtu sikur që ata vetë premtuan në kampanjën e tyre parazgjedhore, por me keqardhje mund të përfundojmë se ky problem është përkeqësuar. Si pasojë e mos-investimeve në riparimin dhe ndërtimin e rrugëve të reja: shpejtësia e lëvizjes së veturave në qytete është ngadalsuar ndjeshëm, nuk ka parkingje të mjaftueshme, numri i aksidenteve me vetura shënon ritje, pëderisa këmbësorët kanë ende vështirësi që të qarkullojnë lirshëm si pasojë nga kaosi i krijuar në komunikacionin rrugor.”, theksoi nënkryetari i PDSH, Frymzim Dauti.

Sipas tij, situata përkeqësohet edhe më shumë kur gurbetqarët kthehen në vendlindje për t’u relaksuar dhe që të njejtit dëshpërohen nga mosfunksionimi elementar i rregullave të komunikacionit në qytet.

“Me këtë rast i përkujtojmë udhëheqësit e të dy komunave në fjalë se ata dështuan edhe në organizimin e transportit publik komunal dhe si pasojë kjo ndikon në ndotjen e mëtejshme të ajrit në pjesën qendrore të qyteteve. Përderisa kryetarja e Komunës së Tetovës kalkulon se a do të bëjnë koalicion pas-zgjedhor me VMRO-në apo LSDM-në, tetovarët vazhdojnë që të thithin ajrin më të ndotur në Evropë. Njejtë vepron edhe kryetari i Komunës së Gostivarit, i cili përderisa kalkulon se a do të bëjë kualicion para-zgjedhor dypalësh apo trepalësh, subvencionet e qeverisë për invertera dhe paleta u ndanë në disa qytete dhe se Gostivari nuk morri asnjë qindarkë. Kjo situatë dëshmon se për kryetarin e Gostivarit matematikat për kualicione kanë më shumë rëndësi se sa situate emergjente për investime në pastrimin e ajrit të Gostivarit. Ne zotohemi se me ardhjen e PDSH-së në pushtet nga buxheti i shtetit do të sigurohen mjete shtesë financiare për komunat me shumicë shqiptare dhe se problemet tona gradualisht do të zgjidhen”, theksoi Dauti.(INA)