PDSH ka qenë dhe do të jetë pranë qytetarëve

Shkruan: Astrite Kaba – Strugë – Anëtare e Kryesisë Qëndrore dhe kandidate për deputet

Të jemi të sinqertë, pa marrë parasysh që dikush beson më shumë e dikush më pak, të gjithë i tremben të nesërmes.

E keqja që ka kapluar botën dhe ka sulmuar atë që është më e shtrenjtë për njeriun – shëndetin, ka shkaktuar frikë te secili. Të vetëdijshëm për rrezikun e këtij virusi, ndoshta nuk kemi dhe aq frikë nga ai, por nga sistemi ynë shëndetësor dhe papërgatitja e tij për t’a luftuar këtë të keqe.

Ndoshta nuk kemi dhe aq frikë nga infektimi aq sa kemi frikë se ndoshta as nuk të pranojnë në spital nëse je i infektuar, siç edhe po ndodh. Të mos flasim për spitalin e Strugës që nuk ka as Repart të infektologjisë. Po si t’ia bëjmë vallë?

Sa keq që e kemi këtë frikë tani kur mendojmë se kemi institucione efikase dhe jemi të sigurtë, kur mendojmë se do të mund t’a marrim atë ndihmë mjekësore për të cilën kemi nevojë aq shumë. Por realiteti është ndryshe dhe përballja me këtë virus vdekjeprurës nuk është aspak e lehtë për ne.

Dita ditës po shtohen rastet dhe duhet të përqëndrohemi absolutisht në luftimin e këtij virusi për t’a mposhtur, megjithëse pasojat e tij do të hasen disa breza me rradhë.
Tashmë që na ka kapluar kjo e keqe e pashmangshme, duhet situata të menaxhohet me zgjuarsi që pasojat të mos jenë fatale.
Në këto ditë të vështira, PDSH-ja është pranë qytetarëve, ashtu siç ka qënë dhe siç do të jetë gjithmonë.

Propozimet e PDSH, këshillat, reagimet, kanë për qëllim vetëm dhe vetëm ruajtjen e shëndetit të qytetarëve, shembull të cilin duhet t’a ndjekin të gjitha subjektet politike shqiptare.

Sfida e një udhëheqësi është aftësia për të menaxhuar krizën e së tashmes dhe të parandalojë pasojat për të mos e dëmtuar të ardhmen. Askush më mirë se lideri i PDSH-së nuk e bën dot këtë. Prandaj, të respektojmë propozimin e tij për të qëndruar të izoluar 24 orë, për aq kohë sa është e nevojshme që pasi të përfundojë pandemia, të dalim nga shtëpia pa frikë dhe të planifikojmë të ardhmen që tani po fshihet pas pasigurisë. Gjithashtu, personat të cilëve u është caktuar izolim shtëpiak, rreptësisht t’u përmbahen rregullave.

Pandeminë mund t’a mposhtim bashkë, të disiplinuar dhe të kujdesshëm, që të kthehemi sa më shpejtë në normalitet dhe të shmangim pasojat e rënda si rezultat i izolimit afatgjatë. Izolimi duket që është e vetmja zgjidhje. Në shtëpi nuk jemi të burgosur por të sigurtë.
Të mos lejojmë që të jemi përgjegjës për humbjen e njerëzve tanë të dashur!

Qëndro në shtëpi, mbro shëndetin tënd dhe shëndetin e të tjerëve, por MOS HARRO që pas përfundimit të gjithçkaje të kërkosh përgjegjësi për gjendjen e mjerueshme të sistemit shëndetësor që të shkaktoi frikë e pasiguri!

E tani… ashtu si Toka, kanë rënë edhe ata në qetësi…