PDSH-ja kërkon zgjedhje 22 ditë pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme

Partia Demokratike Shqiptare vlerëson se duhet të ketë zgjedhje më 5 korrik. Sipas kryetarit të partisë Menduh Thaçi kjo nevojitet për shkak të mos funksionalitetit të Qeverisë.

“Pasi të hiqet gjendja e jashtëzakonshme për 22 ditë me të vërtetë na duhen zgjedhje. E sidomos neve shqiptarëve se kemi një parti në pushtet, ajo është BDI-ja përfaqësuesit e të cilës aspak nuk janë të interesuar dhe nuk funksionojnë në mënyrë institucionale. Duke filluar nga pasqyra tragji-komike e Bujar Osmanit i cili paradite thotë diçka tjetër, e në mbrëmje demanton atë që e ka thënë. Pushteti lokal i Tetovës i cili ‘meriton’ Nobel për shëndetësi sepse aq shumë na nënçmojnë sa me ujë nga lumi i spërkasin 2-3 rrugë dhe thonë se na kanë dezinfektuar dhe ne jemi shumë të mbrojtur nga virusi. E treta, përveç PDSH-së të gjitha partitë tjera politike gjithçka që flasin e kanë marketing, nuk ka qasje serioze për këtë punë. Sinqerisht mendoj se duhet të kemi zgjedhje që të përfundojë ky aktrim i forcave politike, të kemi qeveri dhe institucione të fuqishme dhe funksionale të cilat shumë sinqerisht do të luftojnë me gjithë këtë të keqe që na kaploi. Përndryshe vazhdimi i situatës së tillë mund të na sjellë në agoni ku të gjithë do ta akuzojmë njëri-tjetrin”, tha Thaçi.

Ai nuk pajtohet me partitë tjera politike se populli është fajtor për gjendjen me virusin korona për shkak të mosdisiplinës.

Sipas tij tregues për gjendjen e keqe institucionale me virusin korona është ajo që Maqedonia është në vendin e parë në Ballkan për nga numri i rasteve të vdekjes dhe të sëmurëve si pasojë e Kovid-19.