PDK: Vendimi për ngritje të çmimit të energjisë i padrejtë, qytetarët vazhdojnë të paguajnë 100% rritje

Nga Partia Demokratike e Kosovës e kanë ritheksuar se vendimi i Qeverisë së Kosovës për rritje të çmimit të energjisë elektrike është i padrejtë.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili në një konferencë për media tha se ky vendim ka qenë i panevojshëm.

Ai tutje tha se është e pakuptimtë që qytetarët të paguajnë faturat e energjisë elektrike me rritje kur ka prodhim të mjaftueshëm të energjisë për nevojat e konsumit të brendshëm.

“Sot jemi këtu për të paraqitur dhe për të zbërthyer këto fakte dhe kemi marrë si shembull muajin mars kur qytetarët tanë kanë paguar energjinë elektrike me 100 për qind. Prodhimi i energjisë ka mbuluar kërkesën e e konsumit. Madje, vetëm gjatë muajit mars, sipas shifrave që po i shihni, Kosova ka prodhuar 170 mijë megavat më shumë sesa kërkesa e konsumit. Ndërkaq, ka importuar vetëm 0.56 për qind energji elektrike.”, tha ai.

Ismaili tha se Qeveria ka thënë se është thënë se kriza ka ndodhur për shkak të importit të madh, por faktet tregojnë se Kosova nuk ka pasur krizë energjetike.

“Ngritja e çmimit të energjisë elektrike i ka vënë qytetarët tanë para një dileme të madhe se ku duhet ndarë buxhetin familjar, a duhet të shkoj në produktet bazike të cilat janë shtrenjtuar, a duhet të paguajë faturën apo të hyj në borxhe familjare për të mbuluar muajin. Ky vendim me të cilin qytetarët tanë janë dëmtuar financiarisht ka qenë i padrejtë, i panevojshëm dhe faktet sot tregojnë që ne nuk kemi pasur nevojë fare ta ngrisim çmimin e energjisë.”, tha Ismaili.

Ndërkaq, deputetja Eliza Hoxha rikujtoi se Qeveria Kurti pas shumë vitesh i ktheu reduktimet e rrymës, duke mos ndërmarrë hapa me kohë karshi të ashtuquajturës krizë energjetike.

“E them kështu, të ashtuquajturën, sepse ironia qëndron në faktin e numrave të prezantuar nga kolegët e mi edhe në kuvend, e edhe në konferencat e kaluara për shtyp lidhur me këtë çështje ku shihet qartë se në muajin shkurt ka pasur mjaftueshëm prodhim nga brenda për t’i mbuluar nevojat e konsumit dhe se importi ka qenë në përqindje shumë të vogël, përderisa qytetarët kanë paguar faturen e shkurtit me çmimin e rritur. Dhe të mos harrojmë që është kalkuluar nga gjysma e muajit sipas vendimit të ZRRE-së. Dhe, duke pasur konsum mjaftueshëm sërish në Kuvend vjen kërkesa për vazhdimin e gjendjes emergjente. Pra, kjo është ironia.”, tha Hoxha.

“Pra, që të jemi të qartë, ky komision tashmë me kushtetutë dhe me Ligjin për hetim parlamentar duhet të cilësohet si i themeluar. Në të kundërtën çdo përpjekje për ta penguar dhe parandaluar themelimin e këtij Komisioni Hetimor përbën shkelje kushtetuese dhe cenim të demokracisë në vend. Kjo është hera e parë që në historinë parlamentare të pengohet themelimi i një komisioni hetimor, por kjo nuk është hera e parë që kjo qeveri e shkelë kushtetutën.”, tha Hoxha.

Ndrysh Kuvendi i Kosovës të enjten do të mbajë seancë plenare, ku edhe një herë pritet të diskutohet themelimi i këtij komisioni hetimor.