Kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve vazhdojnë të jenë prezentë

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe Ekipin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, sot ka organizuar konferencë me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit.

Përmes një video-mesazhi u adresua ambasadori Michael Davenport – shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, me ç’rast tha se ani pse Kosova vazhdon të shënojë rezultate të larta në rajon sa i përket pluralizmit të mediave, rastet e kërcënimeve dhe sulmeve në drejtim të gazetarëve vazhdojnë të jenë prezentë.

“Ne shohim ende shumë raste kërcënimesh apo sulmesh kundër gazetarëve, duke përfshirë 11 incidente që nga fillimi i vitit 2022.

Por kjo ditë mbi gjitha është një rast për të festuar punën e profesionistëve të guximshëm të medias në mbarë botën, si dhe rolin e një medie të lirë dhe të pavarur në konsolidimin e demokracisë dhe promovimin e një shoqërie më transparente dhe të hapur. Misioni i OSBE-së do të vazhdojë të mbështesë këtë përpjekje të madhe këtu në Kosovë”, tha ai.

Në pjesën e parë të konferencës u prezantuan gjetjet e raportit “Treguesit e nivelit të lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve 2021”, që është hartuar nga hulumtuesja Getoarbë Mulliqi Bojaj.

Gjetjet e këtij raporti u diskutuan në mes të Kryetarit të Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, Imer Mushkolaj – Drejtor Ekzekutiv i KMShK-së, Yll Zekaj – Ekspert Ligjor i raportit, si dhe Abit Hoxha – Ekspert Nacional i raportit.

Sipas këtyre gjetjeve, AGK thekson se gjendja e gazetarëve vazhdon të jetë e rënduar, si nga pandemia ashtu edhe nga ndryshimet politike, numri i sulmeve në drejtim të gazetarëve ka shënuar rritje, ndërsa vihet më në pah tendenca për heshtje të gazetarëve nëpërmjet padive SLAPP.

Teksa, si rekomandime të raportit u theksua nevoja që gazetarët t’i raportojnë të gjitha rastet e shkeljes së të drejtave të tyre, rëndësinë e pavarësisë financiare të RTK-së, pavarësinë e përzgjedhjes së bordeve të RTK-së dhe KPM-së, si dhe sa më parë të përfundoj Sistemi i Menaxhimit të të Dhënave nga KGjK.