PDK, LDK e AAK i dalin kundër Vjosa Osmanit, nuk e votojnë për presidente

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë vendosur që të mos e mbështesin për presidente Vjosa Osmanin.

Në të njëjtën vijë është deklaruar ditë më parë pas takimit me Osmanin dhe Kurtin edhe Ramush Haradinaj që po synonte të garonte për karrigen më të rëndësishme të shtetit. Deri më tani, sipas burimeve, seanca për të votuar presidentin e ri është paraparë të mbahet në javën kur votohet edhe Qeveria e re.

Java e ardhshme pritet të jetë përfundimtare sa i përket krijimit të institucioneve të reja. Të hënën, pak orë pas konstituimit të Kuvendit pritet të thirret edhe seanca për votimin e Qeverisë së re.

Gjatë të njëjtës javë është paraparë që të thirret seanca edhe për të votuar presidentin e ri.

Mirëpo, Vjosa Osmani që ka dalë më e votuara nga zgjedhjet e 14 shkurtit, nuk po e merr edhe përkrahjen e opozitës për t’u ulur në karrigen më të rëndësishme të shtetit.

Ishte Ramush Haradinaj i pari nga partitë opozitare që tha se AAK-ja nuk e mbështet VV-në, sepse në këtë mënyrë pushteti do të koncentrohej në një parti të vetme.

“Deri tash VV së bashku me Lëvizjen Guxo, ka marr shumicën e votave për të qeverisur me vendin, por nuk i kanë dy të tretat për zgjedhjen e presidentit. Po tash ta shohim se si do të veprojnë për ta zgjedhur këtë situate, pasi që edhe qeveria varet nga kjo. VV nuk i ka fituar zgjedhjet për të shkuar në zgjedhjet, por për të qeverisur me vendin. Ne nuk do t’i japim përkrahje VVsë për ta koncentruar pushtetin te një partie e vetme”, tha ai.