Pas transferimit të Haaland pritet largimi i Jesus, Arsenal hap negociatat me brazilianin

Kampioni anglez Manchester City e bëri zyrtare dje se ka arritur marrëveshje në parim me Borussia Dortmundin që të transferojë yllin norvegjez, Erling Haaland.

Kalimi i Haaland te City lë Guardiolan me shumë opsione në repartin e sulmit, ku ka në dispozicion Riyad Mahrez, Raheem Sterling, Phil Foden dhe Gabriel Jesus.

Në fakt, tani kanë filluar të përhapen spekulime që do të ketë largime nga kampioni anglez, e emri më i përfolur është ai i Gabriel Jesus.

Siç raporton gazetari i njohur Fabrizio Romano, krerët e Arsenalit e kanë Jesusin në krye të listës si prioritet për ta transferuar gjatë kësaj vere.

Po ashtu, raportohet se bisedimet veçse kanë filluar me lojtarin, pasi që Jesus pritet të largohet me ardhjen e Haaland, ndërsa ende nuk ka pasur kontakte mes klubeve.

Që prej transferimit nga skuadra e Palmeiras te Manchester City, Gabriel Jesus ka arritur të bëjë 234 paraqitje në të gjitha garat, duke regjistruar 95 gola dhe 46 asistime mbi emrin e tij.