Partitë shqiptare reagojnë për masakrën në spitalin në Gaza

Sulmi ndaj spitalit dhe një shkolle në Gaza, ku humbën jetën mbi 500 persona civilë , duke mos kursyer fëmijë, gra e të moshuar, ka tronditur të gjithë botën. Ndërkaq, pas shfaqjeve të disa fotografive në media, e sidomos press konferenca e Ministrit të Shëndetësisë së Palestinës, në mes të shumë viktimave, të cilët kishin shkuar në spital për tu shëruar, ku fatkeqësishtë gjetën vdekje, ka ngjallur shumë reagime në botë dhe këtu në vend. Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, e ka dënuar këtë sulm dhe thotë se është akt jo human i terrorit për të cilin nuk ka asnjë justifikim.

BUJAR OSMANI-MINISTËR I PUNËVE TË JASHTME

“Sulmi në spitalin dhe shkollën në Gaza që si pasojë la qindra viktima civilë është akt jo human i terrorit për të cilin nuk ka asnjë justifikim. Respektimi i të drejtës ndërkombëtare dhe humanitare është prioritet dhe civilët duhet të mbrohen plotësisht me çdo kusht. Autorët e këtij akti duhet të identifikohen qartë dhe të mbajnë përgjegjësi”.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, e ka quajtur çmenduri sulmin ndaj civilëve në Gaza.

ARBEN TARAVARI,KRYETAR I ALEANCËS PËR SHQIPTARËT

“Një lajm i tmerrshëm si çdo lajm lufte, vjen nga Gaza. Raportohet se është bombarduar një spital dhe ka të paktën 500 të vdekur deri tani.Kjo çmenduri duhet të marrë fund! LUFTA NUK ËSHTË ZGJIDHJE”.

Ndërkaq, kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami kërkon hetim ndërkombëtarë me urgjencë, pasi siç thotë ai, ky është një gjenocid i pastër.

BILALL KASAMI,KRYETAR I LËVIZJES BESA

“Krim, sulmi mbi një spital në Gaza nga shteti Izraelit ku la të vdekur mbi 500 persona, përfshirë fëmijë, gra dhe të moshuar. Dënojmë dhe kërkojmë hetim ndërkombëtar me urgjencë, sepse ky është një gjenocid i pastër”.

Bombardimi i spitalit në Gaza është alarmi i fundit për botën e qytetëruar, ndërsa kjo që ndodh në Gaza po merr përmasa të krimeve të luftës, që nesër mund të trajtohet edhe si gjenocid. Kështu thotë kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.

AFRIM GASHI,KRYETAR I ALTERNATIVËS

“AlternAtivA gjykon se kjo që ndodh në Gaza po merr përmasa të krimeve të luftës, që nesër mund të trajtohet edhe si gjenocid. Duke u nisur nga kjo, si dhe duke u solidarizuar me viktimat, AlternAtivA i bën thirrje botës së qytetëruar që mos të lejojë një holokaust të ri, për të cilin nesër mund të vajtojnë të gjithë”.

Duke bërë lutje në Zot për viktimat , ka reagur edhe kryetari i Lëvizjes Populli, Skender Rexhepi.

SKENDER REXHEPI,KRYETAR I LËVIZJES POPULLI

“Edhe sa fëmijë duhet masakruar që bota “e qytetëruar” të zgjohet nga verbëria e tyre çnjerzore dhe etja për gjak fëmijësh. O Zot, ndihmoji popullit të pambrojtur palestinez, ndihmoju o Zot se nuk kanë askend tjetër jashta Teje”

Ndërkaq, nga udhëheqësit e shtetit nuk erdhi asnjë reagim ngaj bombardimit të spitalit në Gaza, ku u vranë mbi 500 persona dhe u plagosën quindra të tjerë.