Paralajmëron Bill Gates: Nuk kemi parë ende më të keqen e pandemisë

Miliarderi Bill Gates thotë se ende nuk kemi parë më të keqen nga pandemia Covid-19, ndërkohë që bota u rihap pas dy vitesh bashkëjetesë me virusin. Gates ka paralajmëruar se ekziston një rrezik mbi pesë për qind që bota të mos e ketë parë ende më të keqen.

Manjati i teknologjisë dhe filantropisti tha se nuk donte të tingëllonte keq, por paralajmëroi se ekzistonte rreziku që mund të krijohej një variant akoma më fatal.

Ai tha se rreziku që kjo të ndodhë është mbi pesë për qind dhe do të thotë se bota ka për të parë edhe më keq nga pandemia, përcjell abcnews.al.

Nuk është hera e parë që ai bën një parashikim të tillë. Në dhjetor 2021, ai paralajmëroi miliona ndjekësit e tij në Twitter që të përgatiteshin për pjesën më të keqe të pandemisë, pasi kishte paralajmëruar më parë në 2015 se bota nuk ishte gati për pandeminë e ardhshme.

“Ne jemi ende në rrezik që kjo pandemi të gjenerojë një variant që do të ishte edhe më transmetues dhe akoma më fatal”, ka thënë ai për Financial Times.

“Nuk ka gjasa, nuk dua të jem një zë i zymtë, por është shumë më e lartë se një rrezik prej 5 për qind që të mos e kemi parë më të keqen nga kjo pandemi”, shtoi ai.

Covid-19 u ka marrë jetën rreth 6.2 milionë njerëzve në mbarë botën që nga marsi 2020, por numri i rasteve dhe vdekjet kanë rënë në javët e fundit.

Paralajmërimi i Gates vjen pasi Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), paralajmëroi këtë javë se njerëzit nuk duhet ta neglizhojnë virusin.

Sakaq, Gates këshillon qeveritë në mbarë botën të investojnë në një ekip epidemiologësh dhe modelistësh kompjuterikë për të ndihmuar në identifikimin e kërcënimeve globale të shëndetit në të ardhmen. /abcnews.al