Inteligjenca artificiale kundër kancerit të gjirit – 700 mijë gra përfshihen në studimin më të madh në botë

Në Britaninë e Madhe ka nisur studimi më i madh klinik në botë për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit me ndihmën e inteligjencës artificiale (IA).

Studimi do të zgjasë tre vjet dhe do të përfshijë 700 mijë gra. Qëllimi është zbulimi i tumoreve në fazat më të hershme, zvogëlimi i ngarkesës së radiologëve dhe shkurtimi i kohës së pritjes për diagnostikim.

Pjesëmarrëset do t’u nënshtrohen kontrolleve standarde mamografike, rezultatet e të cilave do të analizohen edhe me ndihmën e inteligjencës artificiale.

Një studim i mëparshëm në Suedi, që përfshiu 106 mijë kontrolle mamografike, tregoi se përdorimi i inteligjencës artificiale dha rezultate më të mira krahasuar me kontrollet e kryera vetëm nga mjekët.

Në Britaninë e Madhe diagnostikohen çdo vit rreth 55 mijë raste të kancerit të gjirit, ndërsa afro 11.500 gra humbin jetën nga kjo sëmundje.

Studiuesit shpresojnë se teknologjia e re do të mundësojë diagnostikim dhe trajtim më të shpejtë, duke shpëtuar më shumë jetë.