Paralajmërohet dislokimi i Rusinos në 2025

Vazhdon zvarritja e punimeve në deponinë Rusino të Gostivarit. Punët që duhej të ishin kryer tash e një vit më parë, kanë filluar të realizohen megjithatë, sipas asaj që duket në terren, nuk pritet fillim i shpejtë i funksionimit të ndërmarrjes. Kreu i komunës Arben Taravari thotë se zgjidhja e vetme është dislokimi i Rusinos.

“Deri në 2025 me çdo kusht Rusinoja duhet të largohet apo të dislokohet prej aty. Punimet po vonohen përfundimisht. Duhej të rregullohej komplet projekti dhe të nis me funksionim në fund të vitit 2020, ndërsa tash jemi korriku i vitit 2021. Janë duke u bë ca punë por nuk është sipas dinamikës që ishte paraparë me projektin SECO”- deklaroi Arben Taravari. Kryetar i komunës së Gostivarit.

Ende nuk është gati as ndërmarrja e përbashkët e Pollogut për menaxhim me deponinë Rusino. Mungojnë fondet edhe të pesë komunave, për tu kompletuar paratë për themelimin e ndërmarrjes, e cila, fillimisht do të funksionojë në një zyrë të adoptuar dhe më pastaj në objekt personal. Por, as kjo një zyrë nuk është ende gati. Në projeksionet e harxhimeve, nuk janë paraparë fondet për pajisjet dhe përgatitjen e zyrës.

“Në këtë drejtim është bë një lëshim gjatë planifikimit fillestar nga konsulentët. Pra, nuk janë paraparë mjete për rregullimin e zyrave pra është paraparë buxhet vetëm për marrje me qera të zyrave, gjoja se do gjenden zyra të gatshme. Dhe në këtë pjesë çalojmë se nuk i kemi mjetet e parapara. Nuk kemi as makineri, edhe për këtë pjesë nuk i kishim paraparë qëllimisht që në fillim duke menduar që ta bëjmë si hap të dytë”- pohoi Besim Dogani. Drejtor i ndërmarrjes së Pollogut.

Rregullimi i deponisë Rusino bëhet me paratë e Qeverisë Zvicerane, konkretisht SECO-s, e cila ndau rreth 8 milion franga për rregullimin e saj, por për më se një vit, punët u zvarritën, ndërsa hedhja e mbetjeve në deponinë Rusino u ndërpre. Për pasojë, mbetjet që edhe më tej vazhdojnë të mos hidhen në deponinë Rusino, shpesh përfundojnë nëpër fushat e Pollogut, apo gropa të hapura në malësinë e Sharrit./Alsat